Dinamo City ka siguruar kualifikimin në raundin e tretë të UEFA Conference League, pas fitores së pastër 3-0 ndaj skuadrës sllovene Aluminij, në ndeshjen e zhvilluar mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”.
Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja zhvilloi një paraqitje bindëse dhe vulosi kalimin më tej falë golave të Vilës, Klevi Qefalisë dhe Fabjan Perndrecës.
Dinamovitët e nisën ndeshjen me ritëm të lartë, duke dominuar që në minutat e para. Goli i avantazhit erdhi në minutën e 23-të, kur Berisha shërbeu për Vilën, i cili arriti të dërgonte topin në rrjetë pas disa tentativave brenda zonës kundërshtare.
Vetëm pak minuta më vonë, Dinamo dyfishoi avantazhin. Klevi Qefalija realizoi një gol spektakolar me të djathtën pas asistit të Ismailit, ndërsa topi i devijuar përfundoi në cepin e portës së skuadrës sllovene.
Në pjesën e dytë, Dinamo City menaxhoi me qetësi avantazhin dhe ruajti kontrollin e lojës. Goli i tretë dhe i sigurisë erdhi nga Fabjan Perndreca, i cili realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Me këtë fitore, Dinamo City avancon në raundin e tretë të UEFA Conference League, ku do të përballet me skuadrën letoneze Auda.

The post Spektakël në “Elbasan Arena”, Dinamo fluturon në raundin e tretë të Conference League appeared first on Euronews Albania.
