Eshtë përkujtuar në Maqedoninë e Veriut 25-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm, qeveria mbajti një seancë solemne gjatë së cilës u vlerësua ky instrument që i dha fund konfliktit të vitit 2001. Por përvjetori u cilësua edhe një moment për të rikujtuar të kaluarën dhe reflektuar mbi përgjegjësinë e institucioneve për të ardhmen e vendit.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se dokumenti është pjesë e realitetit politik dhe institucional të Maqedonisë së Veriut dhe theksoi se fokusi duhet të jetë tek sfidat e së ardhmes. Gjithashtu, ai bëri thirrje që dallimet etnike të mos përdoren për përçarje politike.
Ndërsa zëvendës kryeministri i Parë, Bekim Sali nënvizoi se përvoja e 25 viteve të fundit ka dëshmuar se stabiliteti ndërtohet përmes dialogut, komunikimit, kompromisit dhe respektimit të marrëveshjeve.
Ndërkaq, reagime ka patur edhe nga forcat politike shqiptare. BDI tha se rruga drejt Brukselit kalon përmes Ohrit, sepse pa të nuk mund të ketë të ardhme europiane pa barazi, demokraci funksionale, marrëdhënie të qëndrueshme ndëretnike dhe respektim të marrëveshjeve mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti i vendit.
Ndërsa për VLEN, marrëveshja e Ohrit është rezultat i sakrificës së një gjenerate të tërë dhe nuk është pronë private e BDI-së.
Nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit mes shqiptarëve dhe maqedonasve për raporte të reja shoqërore-politike dhe ndërtimin e mëtejshëm të shtetit u realizua me asistimin e bashkësisë ndërkombëtare pas konfliktit të armatosur të vitit 2001.
The post 25 vite nga nënshkrimi, politika në RMV vlerëson Marrëveshjen e Ohrit appeared first on Euronews Albania.
