PDK dhe Aleanca mbërrijnë në sallën e Kuvendit të Kosovës, kërkojnë vazhdimin e seancës: Keni thyer çdo afat

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbërritur sot në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës konstituive.

Pavarësisht kërkesës zyrtare të dorëzuar me shkrim nga opozita për thirrjen e seancës në orën 11:00, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk e ka mbledhur Kuvendin.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve opozitarë në sallë, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, lëshoi akuza të forta ndaj udhëheqësisë së Lëvizjes Vetëvendosje, duke deklaruar se vendi tashmë ndodhet në një krizë të thellë kushtetuese.

“Qytetarë të dashur, jemi sot këtu së bashku me deputetët tanë dhe Aleancën, sepse Kurti, Haxhiu dhe Dehari e kanë kaluar një kufi që nuk është dashur ta bëjnë kurrë. Qëllimisht kanë shkelur afatin kushtetues. Jo një afat të vendosur nga opozita, por nga Gjykata Kushtetuese. Sot nuk jemi vetëm në krizë politike, por edhe kushtetuese”, u shpreh Hamza.

Më tej, kreu i PDK-së nërmori një apel të drejtpërdrejtë ndaj mazhorancës për të zhbllokuar procesin parlamentar. “Kjo nuk është normale dhe nuk do të lejojmë të bëhet normale. Shteti nuk është Albin Kurti, shteti është Kushtetuta. Ju ftojmë, hajdeni, konstituoni Kuvendin”, përfundoi ai.

The post PDK dhe Aleanca mbërrijnë në sallën e Kuvendit të Kosovës, kërkojnë vazhdimin e seancës: Keni thyer çdo afat appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: