Zhbllokimi i institucioneve, Kurti kërkon konsensus për presidentin në Kosovë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në Prishtinë janë shfaqur sinjalet e para për mundësinë e zhbllokimit të ngërçit institucional. Pas vendimit të LDK-së për të qëndruar në opozitë dhe për të hequr dorë nga kërkesa për postin e Presidentit, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kërkuar që partitë politike të gjejnë një emër konsensual për këtë post.

“Le të mos humbim kohë duke shkuar në zgjedhje, por edhe le të mos humbim kohë pa përmendur emra konkretë. Do të flasim. Unë mendoj që ka me dhjetëra të tillë në shoqërinë tonë, në universitetet tona, në akademinë tonë, në jetën politike, ata që kanë kontribuuar në rezistencë paqësore, ata që kanë kontribuuar në luftë çlirimtare, ata që kanë kontribuuar në shtetndërtim demokratik. Kemi me dhjetëra figura që mund të jenë president”, është shprehur Kurti.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca u mblodhën në Kuvend, në atë që duhej të ishte vazhdimi i seancës konstituive. Deputetët e të dyja partive hynë në sallën plenare, ndërsa akuzuan Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin për bllokimin e institucioneve.

“Konstituimi i tashëm nuk e kthen orën pas, por Kuvendi duhet të konstituohet, pasi pa u konstituar nuk rrjedhin afatet kushtetuese. Prandaj, edhe sot i ftojmë: hajdeni, konstituoni Kuvendin. Mbi çdo parti është Republika e Kosovës, mbi çdo pushtet është Kushtetuta. […] Albin Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës. Pa e rikthyer kushtetutshmërinë, pa e rikthyer rendin kushtetues, me ne nuk mund të flitet për asgjë tjetër”, ka thënë Hamza.

Për deputetin e PDK-së, Burim Ramadani, vakuumi institucional përbën rrezik për sigurinë e vendit. Ai akuzoi Kurtin se nuk po pranon të zbatojë rezultatin e zgjedhjeve dhe po pengon krijimin e institucioneve të reja.

“Vakuumi institucional është baza e rrezikimit të sigurisë kombëtare. Pse po ikin këta njerëz? Pse kanë qëllim bllokimin e institucioneve dhe shtetit? Askush nuk po ia konteston fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit. Askush nuk po ia konteston as zgjedhjen e Kuvendit dhe as formimin e qeverisë. Këtë po e konteston vetë Kurti. Pra, po e konteston rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk kanë vullnet me zbatu rezultatin e zgjedhjeve që populli i Kosovës i ka dhënë besim”, ka deklaruar Ramadani.

PDK-ja, edhe këtë të premte herët në mëngjes, tentoi të bllokonte hyrjen e Kurtit në godinën e Qeverisë, por pa sukses. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse palët do të arrijnë një marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit dhe konstituimin e Kuvendit, apo vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

The post Zhbllokimi i institucioneve, Kurti kërkon konsensus për presidentin në Kosovë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: