Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës njofton se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë nisur procedurë penale ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Dukagjin Maxhuni, të cilit i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh me pretendime për krime lufte të vitit 1999.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka njoftuar menjëherë Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar notë verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse, do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Maxhuni. Vizita pritet të realizohet gjatë javës në vijim”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bëri të ditur se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi do të vazhdojë monitorimin e afërt të këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës.
Rikujtojmë se i arrestuari në Serbi, Dukagjin Maxhuni është nga Beci i Gjakovës, i moshës 47-vjeçare.
Avokati nga Kosova, Arianit Koci, më parë njoftoi se autoritetet serbe kishin ndaluar Dukagjin Maxhunin në kufirin mes Serbisë dhe Kroacisë, dhe pas disa orësh verifikim, familjarët janë njoftuar se ai është transferuar në Beograd dhe se procedurat ndaj tij ishin duke vazhduar.
Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99.
Ky është arrestimi i dytë gjatë gushtit që Serbia bën për krime të pretenduara të luftës në Kosovë. Më 2 gusht, në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë u arrestua shtetasi i Kosovës, Mentor Mustafa, 44 vjeç nga Novobërda. Ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit një muaj.
The post Shqiptari arrestohet në Serbi për krime lufte, reagon Minsitria e Jashtme e Kosovës appeared first on Euronews Albania.
