Gjermanët i kthejnë shpinën Friedrich Merz-it, kancelari del me minus në sondazhe! Partia e ekstremit të djathtë ruan epërsinë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kancelari gjerman Friedrich Merz po vazhdon të humbasë mbështetjen e qytetarëve. Sipas një sondazhi të zhvilluar për televizionin ZDF nga instituti Wahlen, ai ka marrë vlerësimin -1.9 në një shkallë nga +5 në -5, rezultati më i dobët që nga marrja e detyrës.

Në fund të korrikut, Merz, i cili është edhe kryetar i Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU), ishte vlerësuar me -1.5, çka tregon një rënie të mëtejshme të popullaritetit të tij.

Në krye të renditjes së politikanëve më të vlerësuar mbetet ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius i Partisë Socialdemokrate (SPD), me 1.3 pikë. Ndërkohë, zëvendëskancelari dhe kreu i SPD-së, Lars Klingbeil, vijon të mbetet në zonë negative me -0.6, ndërsa bashkëkryetarja e Alternativës për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, renditet e fundit me -2.5.

Sondazhi tregon gjithashtu se Merz përballet me dyshime edhe brenda partisë së tij. Rreth 80% e të anketuarve, mes tyre 67% e mbështetësve të CDU-së, thanë se partia nuk qëndron plotësisht pas liderit të saj.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin javën e ardhshme, AfD do të renditej forca e parë politike me 27% të votave, ndërsa CDU do të merrte 22%. Krahasuar me fundin e korrikut, të dyja partitë kanë humbur nga një pikë përqindjeje.

SPD mbetet në 12%, ndërsa Të Gjelbrit janë rritur me një pikë, duke arritur në 14%. Partia e Majtë ruan mbështetjen prej 12%.

Sondazhi u zhvillua nga instituti Wahlen në datat 17–19 gusht, përmes intervistave telefonike dhe online me 1.319 votues.

The post Gjermanët i kthejnë shpinën Friedrich Merz-it, kancelari del me minus në sondazhe! Partia e ekstremit të djathtë ruan epërsinë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: