“Ish-shitës makinash, sot princ, Princit Laurent i Belgjikës njeh ligjërisht djalin e tij sekret

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Princi Laurent i Belgjikës ka njohur zyrtarisht si djalin e tij 26-vjeçarin Clement Vandenkerkhove, ish-shitës makinash, i lindur nga lidhja e princit me këngëtaren belge Wendy Van Vanten.

Vandenkerkhove iu bashkua familjes së Princit Laurent në një ceremoni private në zyrën e gjendjes civile rreth gjashtë muaj më parë, ndërsa lajmi është bërë publik vetëm tani. Megjithëse tashmë mban statusin e princit, ai nuk do të përfitojë apanazh mbretëror dhe nuk do të jetë pjesë e linjës së trashëgimisë së fronit belg.

Clement Vandenkerkhove është tashmë një emër i njohur për publikun belg. Ai ishte në qendër të një dokumentari televiziv të transmetuar vitin e kaluar, ku rrëfeu historinë e marrëdhënies me babanë e tij biologjik.

Në një intervistë për gazetën belge Het Nieuwsblad, ai ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të përdorë mbiemrin e të atit, Saxe-Coburg. “Mund të dua ta bëj, por jam krenar për mbiemrin Vandenkerkhove”, është shprehur ai, duke theksuar rëndësinë e nënës së tij në jetën e tij.

Historia e tyre nisi në mënyrë të pazakontë. Sipas rrëfimit të Clement në televizionin VTM, ai e takoi Princin Laurent në një qendër tregtare në vitin 2013, pa e ditur se kush ishte në të vërtetë. Vetëm kur mbushi 16 vjeç, nëna e tij i tregoi identitetin e babait.

Katër vite më vonë, Clement vendosi ta kontaktonte vetë. Pas disa bisedave, të dy u takuan dhe Princi Laurent propozoi kryerjen e një testi ADN-je. Rezultati konfirmoi lidhjen atërore me një përputhje prej 99.5 për qind.

Clement nuk do të ketë të njëjtat privilegje si fëmijët e tjerë të Princit Laurent. Ai nuk do të jetë pjesë e linjës së trashëgimisë së fronit dhe nuk pritet të marrë pjesë në aktivitetet publike të familjes mbretërore. Në këtë aspekt, ai ndryshon nga gjysmëmotra e tij, Princesha Louise, dhe gjysmëvëllezërit, Princat Aymeric dhe Nicholas.

Rasti rikthen në vëmendje edhe historinë familjare të Princit Laurent. Babai i tij, ish-Mbreti Albert II, u përball me një betejë të gjatë ligjore për atësinë e Delphine Boel. Në vitin 2020, Albert II e njohu zyrtarisht Delphine si vajzën e tij, duke i hapur rrugën edhe njohjes së saj si princeshë. Sot ajo mban emrin Delphine de Saxe-Coburg.

Sipas rregullave belge, njohja si pjesë e familjes mbretërore nuk nënkupton automatikisht përfitimin e një apanazhi shtetëror, ndërsa privilegjet dhe detyrimet publike varen nga statusi specifik i secilit anëtar të familjes mbretërore.

The post “Ish-shitës makinash, sot princ, Princit Laurent i Belgjikës njeh ligjërisht djalin e tij sekret appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: