Ngrihet aktakuzë për spiunazh dhe shantazh ndaj Fatmir Shehollit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe se, në një rast tjetër, ka shantazhuar një person për një shumë prej mbi 13 mijë eurosh.

Sheholli akuzohet për dy vepra penale: “spiunazh” dhe “shantazh”.

Sipas aktakuzës, në një periudhë të papërcaktuar kohore deri më 9 tetor 2025, Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe se kishte vepruar sipas udhëzimeve dhe detyrave të zyrtarëve të këtij shërbimi.

Prokuroria pretendon se ai kishte mbledhur dhe siguruar informacione e dokumente që lidheshin me zhvillimet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Këto të dhëna, sipas aktakuzës, ai ua kishte përcjellë zyrtarëve të shërbimit serb përmes mesazheve telefonike.

Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli përballet edhe me akuzën për shantazh.

Prokuroria pretendon se, nga viti 2022 deri në dhjetor të vitit 2025, ai kishte shantazhuar një person me inicialet A.J., duke e detyruar të vepronte në dëm të pasurisë së tij.

Vlera e dëmit, sipas aktakuzës, tejkalon 13 mijë euro.

Sheholli dyshohet se i kishte kërkuar para këtij personi në formë huazimi dhe e kishte kërcënuar se, nëse nuk ia jepte paratë, do të publikonte në media video dhe informacione që mund t’ia dëmtonin rëndë reputacionin dhe autoritetin.

Aktakuza tashmë i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për shqyrtim.

Sheholli vazhdon të mbahet në paraburgim.

The post Ngrihet aktakuzë për spiunazh dhe shantazh ndaj Fatmir Shehollit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: