Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Shehollit për spiunazh dhe shantazh. Sipas dosjes, ai ishte rekrutuar nga shërbimi informativ serb BIA dhe kishte vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit Bojan Dimiq, duke mbledhur dhe përcjellë informacione, si dhe duke zbatuar një plan që synonte ndërhyrjen në procesin zgjedhor në Kosovë.
Gazetari Milaim Zeka del në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës ndaj Fatmir Shehollit në një prej episodeve që lidhet me planin që organi i akuzës ia atribuon BIA-s serbe për publikimin e materialeve komprometuese vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025.
Një pjesë e këtij plani, sipas aktakuzës, ishte publikimi në media i materialeve që synonin komprometimin e zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, përfshirë njerëz të afërt me ministrin Nenad Rashiq.
Në dosje thuhet se Sheholli mori në Mitrovicën e Veriut materiale me përmbajtje audio dhe transkripte bisedash, së bashku me 5 mijë euro. Më pas materialet iu dorëzuan Milaim Zekës, së bashku me 1 mijë euro, ndërsa gazetari do t’i publikonte në emisionin e tij “Pa Rrotlla”.
Komunikimet e siguruara përmes masave të veçanta hetimore tregojnë se Sheholli dhe Zeka kishin biseduar paraprakisht për materialet. Më 24 shtator 2025, Sheholli e kontakton gazetarin dhe i tregon se materialet pritej të mbërrinin më 27 ose 28 shtator.
“Dëgjom, me të njëzet e shtatin ose njëzet e tetin vin ato senet, edhe i shohum unë edhe ti.”
Në komunikim flitet edhe për mënyrën e publikimit të materialeve në portal dhe në YouTube. Sipas aktakuzës, për të fshehur origjinën e tyre, Sheholli ia kishte paraqitur Zekës sikur materialet ishin siguruar nga “GIZ-i gjerman”.
Biseda kalon më pas te paratë. Sheholli i tregon Zekës se ishin parashikuar 2 mijë euro, nga të cilat 1 mijë do të jepeshin në fillim dhe 1 mijë të tjera pas publikimit.
“Kur t’mi dhon ato, unë i thash thash se i ka përkthyst e duhet aty pak me përkthy, duhet me… tha ja dhom tha njëmijë tash edhe njëmijë mas dhjet dite kur ti kryen.”
Zeka përgjigjet “Super”, ndërsa Sheholli e mbyll bisedën me fjalët: “U kry zemër, mos ta nin.”
Më 30 shtator 2025, sipas dosjes, Sheholli u takua me Zekën dhe i dorëzoi materialet së bashku me 1 mijë euro. Prokuroria thotë se dorëzimi i parave është kapur edhe nga monitorimi i fshehtë i bisedave. Po atë ditë, në “Pa Rrotlla” nisi publikimi i materialeve që Prokuroria i lidh me planin e BIA-s.
Milaim Zeka është marrë më pas në pyetje nga hetuesit dhe ka pranuar se kishte marrë 1 mijë euro nga Fatmir Sheholli. Në deklarimin e tij në hetuesi, ai ka thënë se marrëveshja ishte për 2 mijë euro dhe se, sipas asaj që i kishte thënë Sheholli, paratë ishin ndarë nga “GIZ-i gjerman”.
“Marrëveshja ka qenë që, gjithmonë sipas Fatmir Shehollit, GIZ-i Gjerman i ka nda dy mijë euro (2000 euro) për publikim, të cilat 1000 mi ka dhënë mua kur jemi takuar dhe 1000 euro të tjera do të mi japë pas përfundimit të publikimit, të cilat nuk mi ka dhënë ende”, thuhet në dosje.
Pas publikimit të aktakuzës, Zeka ka dhënë edhe versionin e tij publik për 1 mijë eurot. Duke folur në emisionin “FIVE” të TV Dukagjinit, ai ka deklaruar se paratë nuk ishin pagesë për publikimin, por ishin destinuar për përkthimin e materialeve nga gjuha serbe, të cilën tha se nuk e njeh.
“Tash, po të them për herë të parë, që ato 1 mijë euro kanë qenë për përkthime, që ky vet e deklaron. Por që unë që ditën e parë kur më ka marrë në pyetje policia, që i kam marrë 1 mijë euro, të cilat ia kam kthyer Shehollit (para arrestimit)”, ka deklaruar Zeka.
Zeka ka treguar në “FIVE” edhe mënyrën se si, sipas tij, i kishte kthyer paratë. Ai tha se përkthyesi nuk kishte pranuar të paguhej dhe për këtë arsye shumën ia kishte dhënë një personi të afërt të Shehollit.
“Pasi përkthyesi nuk ka pranuar pagesë. Ia kam dhënë paratë një personi të afërt të Fatmirit”, ka deklaruar Zeka.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale del ndërkohë edhe një komunikim që lidhet pikërisht me kthimin e 1 mijë eurove. Sipas dokumentit të siguruar nga Dukagjini, bëhet fjalë për një raport informues të lidhur me një vizitë të Shehollit në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 10 nëntor 2025.
Në këtë komunikim, Sheholli flet me djalin e tij, Imerin, dhe e kritikon për pranimin e 1 mijë eurove nga Milaim Zeka. Sipas aktakuzës, Sheholli i thotë të birit se ato para nuk ishin të destinuara për familjen, por për pagesën e gazetarëve që do të publikonin materialet.
Data e këtij komunikimi është 10 nëntor 2025, ndërsa Fatmir Sheholli ishte arrestuar më 9 tetor 2025. Kështu, deklarata e Zekës në “FIVE” e vendos kthimin e parave para arrestimit, ndërsa komunikimi i përfshirë në aktakuzë për 1 mijë eurot e marra nga Zeka është regjistruar një muaj pas arrestimit, gjatë kohës kur Sheholli ndodhej në paraburgim.
Episodi i Milaim Zekës është pjesë e një dosjeje më të gjerë, ku Prokuroria akuzon Shehollin se ka zbatuar një plan operativ të përgatitur nga një zyrtar i BIA-s. Sipas aktakuzës, materialet që iu dorëzuan Zekës synonin diskreditimin e zyrtarëve dhe kundërshtarëve të Listës Serbe dhe publikimi i tyre vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve lokale synonte të kishte ndikim në procesin zgjedhor të 12 tetorit 2025.
The post Prokuroria në Kosovë ngre aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh, në dosje del edhe emri i gazetarit Milaim Zeka appeared first on GIJOTINA.
