Bashkia e Vlorës duket se ka prodhuar një nga ato paradokset që vetëm ajo mund t’i kthejë në realitet. Në të njëjtën ditë, në sistemin e prokurimeve janë publikuar dy nevoja krejt të ndryshme: nga njëra anë, ushqimi për qentë e strehëzës së re dhe, nga ana tjetër, përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetet e varfra dhe të pafavorizuara. Dhe, për ironi, fondi i parashikuar për ushqimin e qenve rezulton, ndonëse me diferencë të vogël, më i lartë se ai i vendosur në dispozicion për ndërhyrjet në banesat e shtresave më në nevojë.
Dokumentet e tenderit, të konsultuara nga ekofin.al, tregojnë se Bashkia Vlorë ka hapur procedurën me objekt “Blerje dhe furnizim me ushqim të ambalazhuar për qen (Junior dhe Adult), për nevojat e Strehës së Kafshëve”, me fond limit 2,163,600 lekë pa TVSH, ose rreth 21.6 milionë lekë të vjetra. Procedura është konceptuar si marrëveshje kuadër me një operator ekonomik, me afat 12 muaj.
Në dokumentacion, vetë Bashkia argumenton se marrëveshja kuadër është e nevojshme për shkak se ushqimi për qentë përbën një nevojë “të përditshme dhe të domosdoshme” dhe se sasitë e furnizimit mund të ndryshojnë në varësi të numrit të kafshëve të strehuara dhe konsumit ditor.
Deri këtu, asgjë e pazakontë. Një bashki që vendos të ndërtojë dhe administrojë një strehë për kafshët ka detyrimin që ato të trajtohen në mënyrë dinjitoze dhe të ushqehen. Problemi nis kur kjo faturë vendoset përballë një tjetër procedure të hapur po nga e njëjta bashki: “Përmirësimi i kushteve të banimit për komunitetet e varfra dhe të pafavorizuara”. Vetë dokumentacioni teknik e përcakton qartë këtë si objektin e ndërhyrjes.
Këtu krahasimi bëhet i sikletshëm.
Sepse dokumentet për banesat nuk flasin për ndërhyrje kozmetike. Projekti parashikon punime prishjeje dhe pastrimi, heqje dyersh e dritaresh, prishjen dhe rindërtimin e çative, suvatime, lyerje dhe veshje me pllaka. Parashikohen gjithashtu dysheme, dyer dhe dritare, punime elektrike, si dhe ndërhyrje në instalimet mekanike, hidraulike dhe sanitare.
Pra, në njërën anë kemi ushqimin njëvjeçar të qenve të strehëzës. Në anën tjetër kemi çati, dyer, dritare, dysheme, energji elektrike, ujë dhe kushte sanitare për banesat e njerëzve që vetë Bashkia i klasifikon si pjesë të “komuniteteve të varfra dhe të pafavorizuara”.
Megjithatë, kur vjen puna te fondet e vëna në dispozicion, peshorja anon, qoftë edhe lehtë, nga ushqimi i qenve.
Natyrisht, krahasimi nuk do të thotë se qentë duhet të lihen pa ushqim. Por administrimi publik matet mbi të gjitha nga prioritetet, proporcionaliteti dhe mënyra sesi shpërndahen paratë e taksapaguesve. Dhe kur fondi për të ushqyer qentë rezulton më i lartë se fondi për të përmirësuar banesat e qytetarëve më të varfër, pyetja nuk është më nëse kafshët meritojnë kujdes. Pyetja është: sa peshë kanë familjet në nevojë në listën e prioriteteve të Bashkisë Vlorë?
Kontrasti bëhet edhe më i fortë për shkak të momentit. Procedura për ushqimin vjen menjëherë pasi Bashkia kishte hapur një tjetër procedurë që lidhet me kafazet dhe infrastrukturën e strehëzës së qenve. Kështu, fatura publike për projektin e kafshëve nuk kufizohet vetëm te 2.16 milionë lekët e ushqimit, por duhet parë si pjesë e kostos së përgjithshme që po merr përsipër Bashkia për ngritjen dhe funksionimin e strukturës.
Në rastin e banesave sociale, ndërkohë, lista e punimeve tregon nevoja elementare. Dokumentet parashikojnë deri edhe ndërhyrje në çati, ku kërkohet zëvendësimi i strukturave mbajtëse, hidroizolimi dhe mbulimi me tjegulla. Nuk bëhet fjalë, pra, për luks, por për kushtet bazë që e bëjnë një banesë të jetueshme.
Ky është pikërisht kontrasti që Bashkia Vlorë duhet të shpjegojë. Jo pse po ushqen qentë, sepse këtë duhet ta bëjë. Por pse një program që synon përmirësimin e jetesës së njerëzve më të varfër të qytetit përfundon me një fond më të vogël se ai që rezervohet vetëm për ushqimin e kafshëve të strehëzës. /ekofin.al
The post Bashkia Vlorë, më shumë para për ushqimin e qenve sesa për banesat e të varfërve appeared first on GIJOTINA.
