Konjufca: LVV i ka gati emrat për president

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Lëvizja Vetëvendosje i ka emrat gati për president, tha ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Megjithatë, ai shtoi se emrat e kandidatëve për president nuk mund të bëhen publikë në këtë fazë, pasi, sipas tij, kjo do ta dëmtonte procesin e negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, por nuk mund t’i ndaj me ju, pasi kjo do ta humbte procesin e negocimit. Edhe LDK-ja besoj se së shpejti do të jetë gati, pasi javën e kaluar kryetari Abdixhiku tha se kjo javë do të jetë ajo që ata do të takohen. Sa kam marrë vesh unë, në LVV kryeministri Kurti ende s’ka një ftesë apo diskutim se cila do të jetë dita e kësaj jave. Kështu e ka përdorur gjuhën kryetari Abdixhiku këtë javë dhe ne jemi në pritje që kjo të ndodhë. Kur kjo të ndodhë, atëherë mendoj se do të jetë shumë afër marrëveshja për presidentin”, tha ai.

Konjufca ka thënë se lideri i LVV-së, Albin Kurti, është i gatshëm për diskutime me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për gjetjen e një marrëveshjeje rreth zgjedhjes së presidentit.

Konjufca është shprehur optimist se një takim mes dy liderëve mund ta afrojë arritjen e një marrëveshjeje për presidentin.

Ai ka vlerësuar se ekziston mundësia për një marrëveshje, duke theksuar se negociatat pritet të zhvillohen përmes propozimit të emrave konkretë.

Sipas Konjufcës, në takimin mes Kurtit dhe Abdixhikut do të diskutohen emra konkretë dhe njëri prej tyre mund të jetë presidenti ose presidentja e ardhshme e Kosovës.

“Është një shans i mirë dhe mundësi e re. Konsideroj se ekziston një probabilitet që të kemi një marrëveshje për presidentin. Kurdo që të takohen Kurti me Abdixhikun, kjo do të jetë forma e diskutimit dhe negocimit. Do të takohen përmes propozimit të emrave konkretë dhe prej atyre emrave konkretë besoj se njëri prej tyre do të jetë presidenti apo presidentja e ardhshme e Kosovës. Mua më vjen keq që u humb java e kaluar, por prapëseprapë i mirëkuptojmë se ka pasur nevojë për një kohë shtesë”, theksoi Konjufca.

Këto komente Konjufca i bëri pas seancës gjyqësore për gazinlotësjellësin./KosovaPress/

The post Konjufca: LVV i ka gati emrat për president appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: