Kurti dhe Abdixhiku takohen për Presidentin e ri të Kosovës, synohet shmangia e zgjedhjeve

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës.

Takimi, i zhvilluar në ambientet e Kuvendit të Kosovës, synon gjetjen e një emri konsensual për postin e kreut të shtetit, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja.

Para takimit, Kurti u shpreh për mediat se palët po zhvillojnë diskutimet me vullnet të mirë, ndërsa theksoi se procesi do të mbetet konfidencial deri në arritjen e një marrëveshjeje konkrete.

“Po vazhdojmë diskutimet me vullnet të mirë, ashtu siç jemi marrë vesh, në mënyrë që vendimin bashkërisht ta sjellim për emrin e presidentit apo presidentes së re dhe të evitojmë zgjedhjet e reja të panevojshme. Padyshim që do të jemi të hapur karshi jush sa i përket procesit, por deri kur të kemi marrëveshje, duhet ta ruajmë konfidencialitetin. Unë gjithmonë pres më të mirën, prandaj edhe sot pres më të mirën”, u shpreh Kurti.

Ndërkohë, Lumir Abdixhiku nuk dha deklaratë për mediat përpara takimit.

Takimi i sotëm vjen pas diskutimeve të zhvilluara javën e kaluar mes Kurtit dhe Abdixhikut, ku palët u fokusuan te kriteret dhe profili që duhet të ketë Presidenti i ri i Kosovës. Në takimet e ardhshme pritet që diskutimet të kalojnë edhe te emrat konkretë.

The post Kurti dhe Abdixhiku takohen për Presidentin e ri të Kosovës, synohet shmangia e zgjedhjeve appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: