Dy të vdekur nga malaria në aeroportin e Frankfurtit, autoritetet: Qytetarët të qëndrojnë të qetë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Autoritetet shëndetësore gjermane kanë bërë apel për qetësi pas vdekjes së dy punonjësve të aeroportit të Frankfurtit nga malaria, ndërsa vijojnë hetimet për të përcaktuar burimin e infeksioneve.

Në aeroportin e Frankfurtit janë vendosur kurthe për mushkonjat dhe ka nisur monitorimi i tyre. Insektet e kapura po analizohen në një laborator të mjekësisë tropikale në Antwerp të Belgjikës.

Gjashtë punonjës të aeroportit janë infektuar nga malaria tropica, forma më e rrezikshme e sëmundjes. Dy prej tyre kanë humbur jetën. Njëri kishte shfaqur simptomat e para në fillim të korrikut, ndërsa tjetri në mesin e gushtit. Katër personat e tjerë janë trajtuar në spital dhe, sipas Departamentit të Shëndetit Publik të Frankfurtit, nuk janë më në rrezik për jetën.

Autoritetet theksojnë se malaria është një fenomen shumë i rrallë në Gjermani dhe se, për shkak të kësaj, sëmundja mund të mos merret menjëherë në konsideratë nga mjekët. Kjo mund të çojë në vonesa në diagnostikim dhe të rrisë rrezikun për një ecuri të rëndë të sëmundjes.

Një tjetër element i rëndësishëm është se malaria nuk transmetohet nga një person te tjetri, por përmes pickimit të mushkonjave të infektuara.

Instituti Robert Koch dyshon se infeksionet në Frankfurt mund të jenë shkaktuar nga mushkonja Anopheles stephensi, një specie që mund të jetë sjellë në Gjermani përmes një avioni.

Një zëdhënës i Fraport, kompanisë që operon aeroportin e Frankfurtit, konfirmoi se kurthe për mushkonjat janë vendosur brenda dhe përreth aeroportit dhe se janë kapur disa insekte, të cilat tashmë po analizohen.

Peter Tinnemann, drejtuesi i Departamentit të Shëndetit Publik në Frankfurt, u shpreh se mushkonja që mund të ketë shkaktuar infeksionet mund të ketë ngordhur tashmë për shkak të temperaturave të larta.

“Mushkonja ndoshta tashmë ka ngordhur”, tha Tinnemann për transmetuesin Hessische Rundfunk.

Sipas tij, temperaturat më të larta në Gjermani mund të rrisin mundësinë që mushkonjat të mbijetojnë për periudha më të gjata, por rreziku për popullsinë e Frankfurtit mbetet i ulët.

“Askush nuk duhet të mendojë se vetëm sepse ka dhimbje koke, temperaturë dhe simptoma të përgjithshme, tashmë është infektuar me malarie për shkak të rastit në aeroport”, deklaroi ai.

Megjithatë, Tinnemann theksoi se rritja e rasteve të malaries kërkon verifikimin e masave ekzistuese të sigurisë, përfshirë dezinfektimin e avionëve dhe eliminimin e vendeve ku mushkonjat mund të shumohen.

Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar nëse gjashtë punonjësit janë infektuar nga një mushkonjë e vetme apo nga disa insekte dhe nëse ato kanë mbërritur në aeroport përmes transportit ajror.

The post Dy të vdekur nga malaria në aeroportin e Frankfurtit, autoritetet: Qytetarët të qëndrojnë të qetë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: