Vedat Muriqi shënon golin e parë në Ligën e Kampionëve

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Sulmuesi kosovar ka realizuar golin e tij të parë në karrierë në UEFA Champions League, duke shënuar për Fenerbahçen në përballjen ndaj Olympique Lyonnais.

Muriqi e gjeti rrjetën në minutën e 24-t, duke i dhënë Fenerbahçes epërsinë 1:0 në ndeshjen kthyese të play-offit të Ligës së Kampionëve.

Fillimisht ai goditi me kokë, ndërsa pas pritjes së portierit të Lyonit, reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë.

Ky është një moment i veçantë për futbollistin e Kombëtares së Kosovës, i cili më parë kishte luajtur në Ligën e Kampionëve me Lazion, por tani ka arritur të shënojë për herë të parë në këtë kompeticion.
Muriqi kishte qenë protagonist edhe në ndeshjen e parë ndaj Lyonit, kur ishte shumë pranë golit me një goditje me kokë, ndërsa Fenerbahçe e kishte mbyllur atë takim në barazim 1:1.

Tashmë, në ndeshjen vendimtare në Francë, “Pirati” kosovar ka marrë rolin e protagonistit, duke shënuar një gol që mund të ketë peshë të madhe për Fenerbahçen në garën për një vend në fazën e ligës së Champions League.
Ndeshja momentalisht është 2-0 për Fenerbahçen dhe është mbyllur pjesa e parë.

The post Vedat Muriqi shënon golin e parë në Ligën e Kampionëve appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: