Një anije pasagjerësh me 267 persona në bord, 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi, është përmbysur në det, rreth katër milje detare larg portit të Kyrenias, në Qipron e Veriut. Gjashtë viktima raportohen deri tani.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Turqisë, anija kishte nisur të merrte ujë dhe ndodhej në rrezik të fundosjes. Menjëherë pas sinjalizimit është aktivizuar një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi.
Në zonë janë dërguar katër mjete detare të Rojës Bregdetare, ndërsa anija e pasagjerëve Akgunler 3 është angazhuar gjithashtu në operacion. Rojeve Bregdetare u janë bashkuar edhe pesë mjete të tjera detare dhe dy helikopterë. Për mbështetje në operacion janë angazhuar edhe gjashtë mjete të Forcave Detare turke.
Kryetari i Kyrenias, Murat Senkul, e ka përshkruar situatën si “shumë serioze”. Në një deklaratë të publikuar në Facebook, ai tha se në bord mund të kenë qenë rreth 270 persona, ndërsa autoritetet turke kanë konfirmuar shifrën prej 267 personash.
Sipas Senkul, ekipet e sigurisë bregdetare po zhvillojnë një sërë operacionesh shpëtimi me mjete të vogla lundruese, në bashkëpunim me Akgunler Express.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë pasagjerë që po nxirren në breg pas përmbysjes së anijes. Në port janë parë gjithashtu një helikopter dhe ambulanca, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë punën.
The post Përmbytet anija me 267 persona në bord në Qipro, të paktën 6 viktima appeared first on Euronews Albania.
