Grenell del në krah të 6 deputetëve të LDK-së që refuzuan kandidaturën e Sejdiut për President të Kosovës: Miq të mëdhenj të Amerikës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Grenell, ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, duke shprehur mbështetje për gjashtë deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës  që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president.

Grenell ka publikuar në rrjetin social X një fotografi të gjashtë deputetëve, mes tyre edhe ish-kryeministrin Avdullah Hoti, të shoqëruar me një mesazh mbështetës.

“Miku im Avdullah Hoti dhe kolegët e tij janë miq të mëdhenj të Amerikës”, ka shkruar Grenell.

Reagimi i tij vjen në një moment kur kandidatura e Bekim Sejdiut për president, e propozuar në kuadër të marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së, ka shkaktuar përplasje brenda LDK-së.

Gjashtë deputetët e LDK-së që kanë bërë të ditur se nuk do ta mbështesin Sejdiun janë Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri.

Deklaratat e tyre kanë krijuar tensione të reja brenda partisë dhe kanë vënë në pikëpyetje mbështetjen e plotë parlamentare për kandidatin e dakorduar për postin e presidentit të Kosovës.

The post Grenell del në krah të 6 deputetëve të LDK-së që refuzuan kandidaturën e Sejdiut për President të Kosovës: Miq të mëdhenj të Amerikës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: