Ministri ukrainas i Financave paralajmëron për buxhetin më të vështirë që nga nisja e luftës, përpara një “dimri shumë të vështirë”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ministri ukrainas i Financave ka paralajmëruar se vendi mund të detyrohet të shkurtojë shpenzimet jo-ushtarake, nëse nuk arrin të sigurojë financim nga aleatët. Në të njëjtën kohë, ai u ka bërë thirrje ministrave evropianë të “mendojnë jashtë kornizave”, ndërsa Kievi përballet me një tjetër dimër të kërcënuar nga përshkallëzimi i sulmeve ruse.

Sergii Marchenko, i cili ka drejtuar financat e vendit që nga viti 2020, është shprehur për Euronews se Ukraina nuk është përballur me një situatë kaq të vështirë buxhetore që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë në vitin 2022.

Përqendrimi te shpenzimet ushtarake dhe prokurimi i armëve mund të ndikojë në fusha të tjera të buxhetit, ndërsa pagesat mund të shtyhen nëse nuk gjendet një zgjidhje.

“Ne tashmë po përballemi me disa probleme të likuiditetit dhe parashikojmë mungesa në buxhetin tonë”, tha Marchenko për Europe Today. “Kjo do të thotë se mund të na duhet të shtyjmë disa pagesa që nuk lidhen me luftën, për shkak të mungesës së likuiditetit. Do të ketë pasoja.”

I pyetur nëse kjo situatë mund të ndikojë te kreditorët e jashtëm, Marchenko tha se nuk do të ketë një ndikim të tillë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se pasojat mund të ndihen në nivel lokal, veçanërisht sa i përket ndërtimit të strehimoreve dhe infrastrukturës, të cilat i cilësoi si “ende të rëndësishme”, ndërsa Ukraina përgatitet për një tjetër dimër sulmesh ruse.

“Që nga viti 2022 nuk kemi pasur një situatë të tillë. Atëherë vuajtëm vërtet nga mungesa e likuiditetit. Tani po i afrohemi shumë të njëjtit skenar që përjetuam në vitin 2022.”

Marchenko i tha Euronews se intensiteti i sulmeve ruse ndaj Ukrainës ishte rritur ndjeshëm gjatë muajit gusht.

Ai tha se po përgatit një buxhet të ri duke u nisur nga supozimi se lufta do të vazhdojë edhe gjatë vitit 2027. Sipas vlerësimeve, për këtë periudhë Ukraina do të përballet me një mungesë financimi prej 32.6 miliardë eurosh, e cila duhet të mbulohet.

Marchenko tha se edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar,i cili vizitoi Kievin këtë javë, ka arritur në vlerësime të ngjashme.

“Lufta është përshkallëzuar shumë shpejt. Edhe ne vetë e kuptojmë këtë. Është një realitet krejtësisht ndryshe krahasuar me muajin e kaluar, veçanërisht pas sulmeve të fundit ndaj logjistikës sonë. Presim një dimër shumë të vështirë. Përshkallëzimi do të thotë se duhet të gjejmë mjetet për ta përballuar dhe mbijetuar këtë periudhë”, tha ai.

“Të mendojmë jashtë kornizave”

Ministri ukrainas i Financave u bëri thirrje ministrave evropianë të mendojnë në mënyrë kreative për zgjidhjet dhe të shqyrtojnë një plan të ri ukrainas për përdorimin e rreth 300 miliardë dollarëve të aseteve ruse të ngrira.

Ky plan ishte refuzuar nga ministrat e BE-së në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa vendet anëtare nuk arritën të kapërcenin mosmarrëveshjet mes tyre. Në vend të tij, u vendos për një kredi prej 90 miliardë eurosh, të financuar bashkërisht. Javën e kaluar, një grup vendesh të BE-së, i udhëhequr nga Suedia, e riktheu në diskutim këtë plan, duke argumentuar se kostoja e mbështetjes për Ukrainën duhet të shpërndahet në mënyrë të drejtë mes taksapaguesve evropianë.

Që prej marrjes së detyrës nga presidenti Donald Trump, BE-ja është lënë në masë të madhe e vetme për të përballuar barrën financiare të mbështetjes për Ukrainën.

Marchenko e mirëpriti këtë nismë dhe tha se shpreson që më shumë vende të bashkohen me të përpara takimit të planifikuar të ministrave të Financave të eurozonës në shtator.

Sipas tij, plani i ri ukrainas, i cili parashikon ndryshimin e administrimit të aseteve që aktualisht mbahen në Belgjikë, ka sjellë “elemente krejtësisht të reja” për të zbutur rreziqet ligjore për qeverinë belge dhe Euroclear, institucionin që mban këto asete.

“Ne duam ta diskutojmë këtë çështje. Plani krijon kushte të reja, ku nuk do të jetë përgjegjësia e Belgjikës të përballet me mosmarrëveshjet gjyqësore me Rusinë, por një përgjegjësi e përbashkët e 27 vendeve”, tha ai.

Megjithatë, Ukraina dhe aleatët e saj që mbështesin planin, përfshirë Poloninë, Suedinë, Holandën dhe Spanjën, përballen me një betejë të vështirë për ta rikthyer këtë ide në tryezën e vendimmarrjes.

Dhjetorin e kaluar, mes shqetësimeve serioze të Bankës Qendrore Evropiane dhe kundërshtimit të fortë nga vende të rëndësishme anëtare, si Italia dhe Franca, BE-ja e la mënjanë planin e diskutuar prej kohësh për përdorimin e aseteve të ngrira.

Frika lidhej me mundësinë e hakmarrjes ruse, dëmtimin e reputacionit të eurozonës dhe proceseve të gjata ligjore që mund të lindnin nga pretendimet e Moskës për konfiskimin e mundshëm të këtyre aseteve./Euronews.com

The post Ministri ukrainas i Financave paralajmëron për buxhetin më të vështirë që nga nisja e luftës, përpara një “dimri shumë të vështirë” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: