I ftuar në një lidhje live në emisionin “Ilir Kazazferi” në Euronews Albania, gazetari sportiv Ervin Baku komentoi garën për presidencën e FIFA-s dhe mundësinë e një mandati të ri për Gianni Infantinon.
Baku u shpreh se, sipas tij, Infantino nuk e ka mbështetjen e nevojshme për t’u rizgjedhur, duke theksuar se Europa është kundër tij. Ai përmendi edhe Belgjikën, e cila së fundmi është shprehur kundër presidentit aktual të FIFA-s.
“Unë besoj që jo, Infantino nuk e ka mbështetjen për një mandat të ri. Nuk e ka. Ka Europën kundër. Së fundmi ka qenë dhe Belgjika kundër tij. Europa nuk e ka, nuk e ka Amerikën e Veriut, pra kontinentin amerikan. Një pjesë nuk e ka kontinentin aziatik dhe ka deri më sot Afrikën, si të thuash mazhorancën e Afrikës”, deklaroi Baku.
Gazetari sportiv tha se një prej mbështetësve të fuqishëm të Infantinos në Afrikë është Samuel Eto’o, presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit.
“Aty është një zë shumë i fuqishëm i futbollit botëror, Samuel Eto’o, që është presidenti i Federatës së Futbollit të Kamerunit. Ai e mbështet fort Infantinon. Pra, ai sot ka mbështetjen e Afrikës dhe një pjese të vogël të Amerikës Latine”, u shpreh ai.
Sa i përket qëndrimit të Europës, Baku theksoi se deri tani presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka refuzuar të kandidojë, ndërsa një tjetër emër që mund të shfaqet si kandidat i fortë është Viktor Montagliani, presidenti i CONCACAF.
“Deri tani dimë që Čeferin ka refuzuar të kandidojë. Është shprehur ekzaktësisht që nuk më intereson. Dhe një kandidaturë shumë e fuqishme dhe e fortë mund të jetë ai italo-kanadezi Viktor Montagliani, që është dhe presidenti i Konfederatës së Amerikës së Veriut”, tha Baku.
Në vijim, gazetari sportiv kritikoi drejtimin e FIFA-s nga Infantino, duke argumentuar se gjatë presidencës së tij institucioni është identifikuar gjithnjë e më shumë me figurën e presidentit.
“Kam përshtypjen që nuk do të cenojë institucionin e FIFA-s, futbollit, sepse ai arriti ta shndërrojë FIFA-n në, si të thuash, në diçka private. Kur thonim FIFA, nënkuptonim Infantino dhe kur thonim Infantino, nënkuptonim FIFA-n”, deklaroi ai.
Baku përmendi gjithashtu edhe protestat apo kritikat publike ndaj kreut të FIFA-s, duke iu referuar disa banderolave të shfaqura në Times Square.
“Askush nuk e ndalon atë të tërhiqet, e kupton? Dhe e mira do të jetë që ai mos jetë më. Dje ka pasur në Times Square disa banderola të fuqishme që ‘futbolli ka nevojë për një lider dhe jo për një diler’. Diler është ai për marrëveshje”, tha gazetari.
Sipas Bakut, kritikat ndaj Infantinos nuk vijnë vetëm nga federatat, por edhe nga një pjesë e tifozëve të futbollit. Ai e lidhi këtë edhe me projektin e Superligës së Botës, të cilin e konsideroi një sinjal të qartë për synimet e presidentit të FIFA-s.
“Edhe tifozët e futbollit i ka kundër. Askush nuk mund ta ndalojë dikë të rikandidojë, por, e thashë, nuk është në të mirë të futbollit. Ai projekt që dështoi, abortoi pa lindur fare, i dha një sinjal të qartë Europës dhe atyre që e duan këtë lojë se ai kishte ndërmend ta privatizonte”, përfundoi Ervin Baku.
The post Kush nuk e do më Infantinon në krye të FIFA-s? Gazetari zbulon hartën e shteteve që mund t’i dalin kundër appeared first on Euronews Albania.
