Disa nga zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, djali i presidentit të Serbisë dhe krerët e Kishës Ortodokse Serbe u mblodhën më 7 shtator në Beograd, ku Ratko Mlladiç, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje dhe Hercegovinë, u varros me nderime shtetërore dhe ushtarake.
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe mbajti shërbesën mortore, ndërsa në varrim mori pjesë edhe ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.
Analiza e pamjeve dhe fotografive të disponueshme publikisht tregon se në mesin e të pranishmëve kishte edhe pjesëtarë të organizatave të shumta të veteranëve dhe të djathta, përfshirë individë të dënuar për krime lufte dhe për përhapje të urrejtjes fetare dhe kombëtare.
Kodi Penal i Serbisë parasheh dënim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim për miratimin publik, mohimin ose minimizimin e ndjeshëm të gjenocidit dhe krimeve të luftës, por kjo dispozitë vlen për krimet e përcaktuara me vendime të gjykatave në Serbi ose të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, ndërsa Mlladiq u dënua nga Tribunali i Hagës.
Pamjet e kolonës së njerëzve që, së bashku me krerë shtetërorë dhe kishtarë, përcollën arkivolin e të dënuarit për krime lufte, nxitën reagime të shumta nga rajoni, Brukseli dhe Uashingtoni.
Ata paralajmëruan se, në këtë mënyrë, fyhen viktimat, minohet pajtimi dhe dëmtohet rruga evropiane e Serbisë.
Ministri i Jashtëm i Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviç, njoftoi se pothuajse i gjithë personeli diplomatik do të tërhiqet nga Ambasada e këtij vendi në Serbi, si përgjigje ndaj veprimeve të zyrtarëve serbë pas vdekjes dhe varrimit të të dënuarit për krime lufte.
Ministrat i bënë nderime të dënuarit për krime lufte
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha më herët se nuk do të marrë pjesë në varrim, për shkak të një takimi të paralajmëruar më parë me presidentin e Uzbekistanit.
Djali i tij, Danillo Vuçiç, shkoi në kishë i shoqëruar nga pjesëtarë të sigurimit, disa prej të cilëve mbanin bluza me portretin e Ratko Mlladiçit.
Sipas fotografive të publikuara në media, në varrim morën pjesë edhe djemtë e ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç, dhe të të dënuarit nga Tribunali i Hagës, Vojisllav Sheshel.
Në varrim u shfaqën gjashtë ministra, përkatësisht një e pesta e përbërjes aktuale të Qeverisë së Serbisë.
Para dhe brenda kishës, gjatë varrimit të Mlladiqit, u panë ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ministri i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiç, ministrja e Punës, Millica Gjurgjeviç Stamenkovski, ministri i Kulturës, Nikolla Sellakoviç, dhe ministri për Investime Publike, Darko Gllishiç.
Në varrim ishte edhe ministri pa portofol, Nenad Popoviq, i njohur për qëndrimet proruse dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për lidhjet politike dhe të biznesit me Moskën.
Aty ishte edhe Aleksandar Vulin, ish-ministër në Qeverinë e Serbisë dhe anëtar i Senatit të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.
Ai është nën sanksione të SHBA-së për përhapjen e ndikimit malinj rus në Serbi, si dhe për dyshime për përfshirje në krim të organizuar ndërkombëtar, trafikim të narkotikëve dhe keqpërdorim të funksionit publik.
I pranishëm ishte edhe Marko Kriçak, shef i Drejtorisë së Policisë Kriminale, i njohur në publik për polemikat lidhur me përdorimin e forcës së tepruar ndaj protestuesve antiqeveritarë në Serbi.
Në varrim mori pjesë edhe deputeti Millosh Jovanoviq, kryetar i DSS-së së Re, parti e opozitës nacional-konservatore, përkatësisht të djathtë, në Parlamentin e Serbisë.
The post Nga zyrtarët e lartë tek “Ujqit e Natës”: Kush e përcolli Mlladiçin? appeared first on Euronews Albania.
