Presidenti i Këshillit Evropian reagon për varrimin e Mlladiçit: Nderimet për të bien ndesh me rrugën e Serbisë drejt BE-së

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ka reaguar pas ceremonisë së varrimit të ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, në Beograd, duke e cilësuar si “tronditëse” mënyrën se si u zhvillua ceremonia dhe praninë e zyrtarëve të lartë serbë.

Në një reagim në rrjetin social X, Costa thekson se Mlladiçi ishte një kriminel lufte i dënuar për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai vdiq ndërsa vuante një dënim me burgim të përjetshëm për gjenocidin e Srebrenicës dhe krime të tjera.

Costa e cilëson si “thellësisht për të ardhur keq” praninë e disa zyrtarëve të lartë serbë dhe elementet e mbështetjes zyrtare gjatë ceremonisë.

Sipas tij, këto zhvillime tregojnë një dështim për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë së fundit të Evropës dhe bien ndesh me vlerat mbi të cilat mbështetet rruga e Serbisë drejt Bashkimit Evropian.

“Mendimet tona janë me të gjitha viktimat e krimeve të kryera në vendet e ish-Jugosllavisë”, shkruan Costa në reagimin e tij.

Mlladiçi u varros më 7 shtator në Beograd, në një ceremoni ku morën pjesë mijëra njerëz, ndërsa ishin të pranishëm edhe zyrtarë të lartë serbë. Ceremonia shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare për shkak të nderimeve dhe glorifikimit të ish-gjeneralit serb të Bosnjës.

The post Presidenti i Këshillit Evropian reagon për varrimin e Mlladiçit: Nderimet për të bien ndesh me rrugën e Serbisë drejt BE-së appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: