Udhëheqësja e partisë së djathtë gjermane AfD, Alice Weidel, ka bërë thirrje për kufizimin e ndjeshëm të pagesave të Gjermanisë ndaj Bashkimit Evropian.
Sipas Weidel, çdo javë Gjermania transferon në Bruksel pothuajse 1 miliard euro, ndërsa vetëm një pjesë e këtyre fondeve rikthehet në vend.
“Ne duam paratë tona mbrapsht!”, deklaroi ajo.
Weidel kritikoi gjithashtu gjendjen e industrisë gjermane të automjeteve, duke e cilësuar rënien e Volkswagen si një sinjal shqetësues për ekonominë e vendit.
Ajo tha se rreth 50 mijë vende pune janë në rrezik, ndërsa katër fabrika përballen me mundësinë e mbylljes.
Sipas lideres së AfD-së, në krizë ndodhet edhe sektori i bizneseve të vogla dhe të mesme, së bashku me shtresën e mesme gjermane.
Në deklaratat e saj, Weidel iu drejtua edhe kancelarit Friedrich Merz, duke e akuzuar se nuk e ka kuptuar mesazhin e votuesve.
“Ju nuk e kuptuat mesazhin që votuesit në Saksoninë-Anhalt jua përcollën të dielën e kaluar”, u shpreh ajo.
Weidel shtoi se qytetarët gjermanë kërkojnë një ndryshim të politikave dhe pretendoi se ky ndryshim do të vijë.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur ekonomia gjermane dhe veçanërisht industria automobilistike po përballen me presion të madh, ndërsa debati mbi marrëdhëniet financiare me BE-në mbetet një nga temat e rëndësishme të politikës gjermane.
The post Liderja e AfD: Gjermania duhet të kufizojë pagesat ndaj BE-së, ne duam paratë tona mbrapsht appeared first on Euronews Albania.
