Akuza për pengim të drejtësisë/ Prokurori në Hagë kërkon 6 vite burg për Thaçin, mbrojtja kërkon lirimin e tij

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë (ZPS) ka kërkuar që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të shpallet fajtor dhe të dënohet me 6 vjet burgim në rastin për ‘pengim të drejtësisë pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë’.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se ZPS-ja nuk ka sjellë prova që arsyetojnë dënimin e kërkuar ndaj tij dhe ka thënë se ai duhet të lirohet nga të gjitha akuzat.

Prokurori i specializuar, Joshua Hafetz, tha gjatë shpalosjes së deklaratave përmbyllëse se “akuzat që ZPS-ja ka ngritur dhe që ka vërtetuar janë krime”.

“Përpjekja për të ndërhyrë dhe penguar procesin gjyqësor në këtë gjykatë, paraqet kërcënim për adresimin e drejtë të drejtësisë”, tha prokurori Hafetz.

Por, avokatja mbrojtëse e Thaçit, Sophie Menegon, kundërshtoi pretendimet e Hafetz, duke thënë se ZPS-ja po kërkon dënim për Thaçin “sepse i duhet t’i mbulojë dhe arsyetojë masat tejet ndërhyrëse që janë marrë ndaj zotit Thaci për muaj të tërë”.

“Pra incizimi i fshehtë i të gjitha bisedave të tij, bisedave telefonike dhe bisedave jo të privilegjuara, përfshirë me bashkëshorten dhe djalin e tij”, theksoi ajo Ajo theksoi se “provat janë të dobëta, akuzat e tyre janë të dobëta, qoftë nga ana ligjore apo faktike, dhe këto e arsyetojnë lirimin e Thaçit nga të gjitha akuzat e ngritura”.

Mbrojtja dhe prokurorët do të kenë tre ditë kohë për të dhënë argumentet e tyre përmbyllëse në këtë rast që ndërlidhet me çështjen gjyqësore kundër Thaçit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.

Prokuroria tha se nëse Thaçi shpallet fajtor, dënimi për këtë rast do ta vuante “në vijim të ndonjë dënimi tjetër që do të jepet në rastin 6, nëse do të jepet”. Për të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Prokuroria kërkoi që të gjithë të shpallen fajtor dhe të dënohen me burgim. Prokuroria kërkoi që Hajredin Kuçi të dënohet me nëntë muaj burgim, ndërkaq, Fadil Fazliu, Isni Kilaj dhe Bashkim Smakaj të dënohen me nga tre vjet burgim secili.

gijotina.com/

The post Akuza për pengim të drejtësisë/ Prokurori në Hagë kërkon 6 vite burg për Thaçin, mbrojtja kërkon lirimin e tij appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: