Edhe seanca konstituive e kësaj të premte në Kuvendin e Kosovës ka dështuar teksa kryetarja Albulena Haxhiu njoftoi ndërprerjen e saj. Haxhiu në nisje të seancës e hodhi në votim propozimin që kandidatët për nënkryetarë të votohen individualisht.
Partitë ndryshe nga seanca e kaluar që nuk ranë dakord se si të votohen nënkryetarët, në grup apo ndaras, këtë të premte votuan për votimin e nënkryetarëve veçmas me 71 vota pro.
Ardian Gola nga Lëvizja Vetëvendosje u zgjodh nënkryetar me 100 vota pro ndërsa Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës nuk u zgjodh nënkryetare pasi mori vetëm 44 vota.
PDK më pas u ftua që të bëjë propozim të ri për nënkryetar, por shumica e deputetëve dolën nga salla. Vetëm deputeti Mërgim Lushtaku mbeti në sallë.
Të mërkurën, deputetët rizgjodhën Albulena Haxhiun në postin e kryetares, por më pas seanca u shty pas mospajtimeve mes partive politike lidhur me votimin e pesë nënkryetarëve.
Një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiç i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
The post Dështon konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ndërpritet seanca appeared first on Euronews Albania.
