Alket Rizai, shqiptari i njohur në Greqi për arratisjet spektakolare nga burgu dhe lidhjen e tij të mëparshme me të shumëkërkuarin grek Vasilis Paleokostas, është identifikuar nga policia greke si një prej personave të përfshirë në një incident me armë zjarri në një bar plazhi në Anavyssos.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 05:15 të mëngjesit, kur policia mori një telefonatë për të shtëna me armë. Në momentin e mbërritjes, efektivët nuk gjetën personat e përfshirë në konflikt, por në vendngjarje u konstatuan dy gëzhoja dhe gjurmë gjaku.
Identifikimi i Rizait u bë pas këqyrjes së kamerave të sigurisë. Sipas raportimeve të mediave greke, ai ndodhej në leje nga burgu i Domokosit dhe duhet të rikthehet atje mëngjesin e së hënës. Nëse nuk paraqitet brenda afatit, ai do të konsiderohet i arratisur dhe policia do të intensifikojë kërkimet për lokalizimin e tij.
Si nisi konflikti
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, përplasja ka nisur pasi lokali po mbyllte aktivitetin dhe numri i klientëve ishte zvogëluar ndjeshëm. Rizai, i cili ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë, doli në parking dhe vendosi muzikë me volum të lartë nga automjeti i tij.
Pronari i biznesit i kërkoi që ta ulte zërin, duke i shpjeguar se zhurma mund të sillte ndërhyrjen e policisë. Debati më pas u përshkallëzua dhe në konflikt u përfshinë edhe persona të tjerë që ndodheshin në ambientet e lokalit.
Hetuesit dyshojnë se gjatë përplasjes Rizai ka nxjerrë një armë dhe ka qëlluar në ajër. Pas tij, edhe një shtetas afgan, i dyshuar se punonte në sigurinë e biznesit, ka hapur zjarr.
Të shtënat dyshohet se kanë shkaktuar rikoshet, duke plagosur dy punonjës të lokalit.
Dy të plagosur, dëshmitë ngrenë dyshime
Pak pas incidentit, dy persona u paraqitën në Qendrën Shëndetësore të Kalivias. Njëri prej tyre, një 20-vjeçar grek, kishte marrë dëmtime në kyçin e këmbës nga copëzat e xhamit, ndërsa një 41-vjeçar pakistanez kishte pësuar plagë plumbi në pulpë.
Të dy janë identifikuar si punonjës të biznesit dhe janë marrë në pyetje nga policia. Megjithatë, autoritetet kanë konstatuar mospërputhje në dëshmitë e tyre. Edhe pronari i lokalit ka dhënë një version që, sipas hetuesve, nuk përputhet me provat e mbledhura deri tani.
Pas përplasjes, Rizai dhe dy personat që e shoqëronin u larguan me automjet nga zona. Edhe shtetasi afgan është larguar dhe aktualisht ndodhet në kërkim nga policia greke.
Deri tani, në pranga ka përfunduar pronari i biznesit, i dyshuar se ka dhënë deklaratë të rreme për rrethanat e incidentit.
Policia greke vijon hetimet dhe kërkimet për personat e përfshirë, ndërsa vëmendja e autoriteteve është përqendruar edhe te Alket Rizai, për shkak se ai ndodhet në ditët e fundit të lejes së dhënë nga burgu i Domokosit.
The post Del nga burgu me leje në Greqi, personazhi i njohur i arratisjeve Alket Rizai përfshihet në konflikt me armë! I ikën policisë appeared first on Euronews Albania.
