Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për President të Kosovës.
Abdixhiku e ka vlerësuar vendimin e Sejdiut si një akt dinjiteti, ndërsa ka kritikuar situatën politike në vend, duke e cilësuar bllokadën dhe përplasjet politike si arsye që Kosova sot mbetet pa President.
“Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President.
Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim.
Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij. Përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të. Urrejtja si mjet dhe inati personal si karakteristikë e pashpjegueshme e politikanëve të sotëm, janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit. E rëndësishme t’i bëjmë dëm tjetrit.
Sa shumë kemi nevojë për njerëz të mirë në këtë vend. Sa lehtë i hedhim poshtë.
Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje. Edhe pas tyre, në te tjerat.
Të faleminderit Bekim për gadishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, shkruan Abdixhiku.
The post Lumir Abdixhiku: Bekim Sejdiu tregoi dinjitet appeared first on Euronews Albania.
