Ka vdekur në moshën 76-vjeçare aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetja Flora Brovina. Lajmin për vdekjen e Brovinës e kanë bërë të ditur familjarët e saj.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se fjalët për humbjen e Brovinës janë të pakta. Ai e ka kujtuar Brovinën si simbol të qëndresës dhe dashurisë për atdheun.
“Sot na la Flora Brovina. Na la një grua e fortë, një nënë, mjeke, intelektuale dhe veprimtare që gjithë jetën ia kushtoi Kosovës dhe qytetarëve të saj. Flora nuk u përkul kurrë para vështirësive. Ajo qëndroi me dinjitet, guxim dhe përkushtim deri në fund të jetës. Për mua, për PDK-në dhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin, ajo do të mbetet përjetësisht simbol i qëndresës dhe dashurisë për atdheun”, ka shkruar ai në Facebook.
Sakaq, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se Brovina do të kujtohet si grua që organizoi ndihmoi, protestoi dhe ngriti zërin kundër dhunës e represionit, duke e kthyer angazhimin publik në një formë të përditshme të qëndresës.
“Në pranverën e vitit 1999 u arrestua dhe u dërgua në burgjet e Serbisë, ku u dënua me 12 vjet burg. As aty nuk hoqi dorë nga bindjet e veta. Për lirimin e Flora Brovinës u angazhuan organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shkrimtarë dhe institucione nga vende të ndryshme të botës. Ishte e burgosur politike, veterane e luftës së UÇK-së dhe pjesë e brezit që sakrifikoi aq shumë për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Kush ishte Flora Brovina?
Dr. Flora Brovina ishte Mjeke, Poete, Humaniste, Aktiviste për të Drejtat e Njeriut, Ish e Burgosur Politike, Veterane e Luftës së UÇK-së, Deputete, Nënshkruese e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës
Dr. Flora Brovina, e lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj, është një nga figurat më të njohura të jetës humanitare, politike, shoqërore dhe kulturore të Kosovës. Për më shumë se pesë dekada, veprimtaria e saj është ndërthurur me mjekësinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të grave, rezistencën kombëtare, letërsinë dhe ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Arsimi dhe karriera profesionale
Flora Brovina përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë dhe u specializua në pediatri, me studime të mëtejshme në pediatrinë klinike. Një pjesë të specializimit profesional e zhvilloi në Zagreb.
Për shumë vite punoi si mjeke pediatre, përfshirë angazhimin në repartin e Pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Ajo pati gjithashtu një përvojë rreth nëntëvjeçare si gazetare e shëndetësisë në gazetën “Rilindja”, duke bashkuar profesionin e mjekes me komunikimin publik dhe angazhimin shoqëror. Kuvendi i Kosovës e evidenton në biografinë e saj zyrtare si mjeke pediatre dhe ish-gazetare të “Rilindjes”.
The post Ndërron jetë në moshën 76-vjeçare ish-deputetja dhe aktivistja Flora Brovina appeared first on Euronews Albania.
