Pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila këtë të mërkurë dënoi me gjithsej 81 vite burg ish-krerët e UÇK-së, është rikthyer në vëmendje një video e vitit 2014, ku Albin Kurti paralajmëronte asokohe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e kësaj gjykate të veçantë.
Në videon e publikuar, Kurti kundërshtonte krijimin e Gjykatës Speciale dhe i drejtohej drejtpërdrejt kryeministrit Thaçi, duke pretenduar se ai po e lejonte krijimin e tribunalit me bindjen se vetë nuk do të përfundonte përpara tij.
“Tribunali apo gjykata e veçantë nuk bëhet sikur ky kryeministër i Kosovës të mos donte të bëhej, por Thaçi po e lejon këtë tribunal pasi beson se ai vetë nuk ka për të përfunduar atje. Nëse ka ndonjë mik ndërkombëtar që mund ta ndihmojë Kosovën, duhet ta bëjë këtë duke i treguar kryeministrit që edhe ky vetë do të përfundojë aty”, shprehej Kurti.
Deklarata daton në prill të vitit 2014, kur Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës. Në atë periudhë, çështja e krijimit të një gjykate të veçantë për trajtimin e pretendimeve për krime të kryera gjatë dhe pas luftës së Kosovës ishte pjesë e debatit politik në vend.
Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë krijimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Videoja është rikthyer në vëmendje këtë të mërkurë, pas shpalljes së vendimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët u dënuan gjithsej me 81 vite burg.
12 vite më parë, kur Albin Kurti paralajmëroi Hashim Thaçin për votimin e Gjykatës Speciale pic.twitter.com/wBU1OLBmYF
— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) September 16, 2026
The post “Do të përfundosh vetë në Hagë”, 12 vite më pas rikthehet paralajmërimi i Kurtit ndaj Thaçit (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.
