Gjatë një konference për shtyp në Beograd, presidenti serb Aleksandër Vuçiç komentoi vendimin për dënimin me 81 vite burg të ish-krerëve të UÇK-së, duke u kërkuar serbëve të mos e konsiderojnë procesin të mbyllur dhe të mos festojnë. Ai vijoi të këmbëngulë se aktgjykimi nuk përfshiu, sipas tij, akuzat më të rënda që Serbia ka ngritur ndaj UÇK-së.
“Ne nuk kemi arsye as të gëzohemi, as të pikëllohemi. Edhe nëse vendimi konfirmohet, gjë që e kam të vështirë ta besoj, ekziston edhe një instancë e tretë – Gjykata Kushtetuese e të ashtuquajturës Kosovë, e cila mund ta kthejë çështjen në rigjykim. Prandaj nuk duhet ta presim këtë vendim me eufori, por të jemi të duruar”, tha ai.
Vuçiç tregoi publikisht fotografi të serbëve të vrarë, duke pretenduar se autorët e tyre nuk janë ndëshkuar. Vuçiç e mbështeti argumentin e tij te fakti se Dhomat e Specializuara rrëzuan gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit. Sipas tij, kjo tregon se gjykata “nuk deshi ta rrënonte kredibilitetin e UÇK-së” dhe nuk pranoi narrativën që Serbia ka mbrojtur prej vitesh.
“Është e rëndësishme të theksoj se trupi gjykues nuk konstatoi sulme sistematike kundër popullsisë civile. Nuk deshën ta rrënonin kredibilitetin e UÇK-së. Çfarë nuk përfshihet në këtë vendim? Krimet kundër njerëzimit. Të gjashta pikat e aktakuzës u hodhën poshtë. Të gjitha krimet e kryera kundër serbëve pas 20 qershorit 1999 nuk u morën parasysh. Nuk ka përgjegjësi as për ‘Shtëpinë e Verdhë’”, deklaroi ai.
The post “Nuk duhet të festojmë”, Vuçiç: Vendimi për ish-krerët e UÇK-së mund të ndryshojë appeared first on Euronews Albania.
