Kuvendi i Shqipërisë dënon vendimin e Hagës për 4 ish-krerët e UÇK: Besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

PS dhe PD kanë dalë me një deklaratë të përbashkët në Kuvend për vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë, që dënoi me gjithsej 81 vite burg katër ish-liderët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në deklaratën e lexuar në Kuvend nga kryetari Niko Peleshi, vendimi ndaj ish-liderëve të UÇK-së konsiderohet i padrejtë.

“Kuvendi e konsideron të padrejtë vendimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Kuvendi rithekson një të vërtetë historike: Lufta e UÇK-së ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës, ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga Millosheviçi.

UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë. Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli, nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së”, thuhet në deklaratë.

Kuvendi shpreh gjithashtu shqetësimin për atë që e cilëson si standarde të dyfishta, duke iu referuar nderimeve publike për persona të dënuar për krime lufte.

“Nderimet publike që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte dhe glorifikimi i Mladiçit cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat evropiane”, thuhet në deklaratë.

 

The post Kuvendi i Shqipërisë dënon vendimin e Hagës për 4 ish-krerët e UÇK: Besojmë në pafajësinë e çlirimtarëve appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: