Një zarf që përmbante një plumb dhe një letër me fraza kërcënuese, drejtuar Giuseppe Valditara, është dërguar ditët e fundit në Ministrinë e Arsimit dhe Meritës në Romë.
Zëdhënësi i ministrit bëri të ditur se “ditën e djeshme është bërë denoncim pranë organeve të policisë”, të cilat tashmë do të hetojnë ngjarjen. Sipas tij, “bëhet fjalë për veprim të një personi të paekuilibruar, pasi përmbajtja e letrës është e pakuptimtë”.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi: “Shpreh solidaritetin tim të plotë, si dhe atë të qeverisë, me ministrin Giuseppe Valditara për kërcënimet e rënda që ka marrë. Një plumb dhe një letër kërcënuese janë akte të ulëta intimidimi që nuk mund të kenë vend në një demokraci. Besojmë te puna e forcave të rendit për të hedhur dritë të plotë mbi ngjarjen dhe te një dënim i qartë dhe unanim nga të gjitha forcat politike.”
Solidaritet dhe mbështetje kanë shprehur edhe anëtarë të tjerë të qeverisë.
“Shpreh solidaritetin tim me ministrin Valditara. Nëse dikush mendon se mund ta ndalë punën e qeverisë sonë me kërcënime dhe dhunë, gabon rëndë. I dërgoj një përqafim Giuseppe-s dhe jam i sigurt se ai nuk do të frikësohet”, shkroi në X zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Antonio Tajani.
“Një ministër i Lega-s që gjatë këtyre viteve e ka vendosur sërish në qendër arsimin, nxënësit dhe të gjithë ata që punojnë çdo ditë në këtë sektor, duke arritur të rinovojë tre kontrata të sektorit të arsimit brenda një legjislature. Asnjë kërcënim apo intimidim nuk do ta ndalë punën e tij. Përpara, Giuseppe!”, shkroi në një postim në X zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Matteo Salvini.
The post Zarf me plumb dhe letër kërcënuese për ministrin e Arsimit në Itali, Meloni dhe qeveria në solidaritet appeared first on Euronews Albania.
