Avokati  i Thaçit reagon ndaj deklaratës së Marta Kos: Nuk të takon ta paragjykosh çështjen ndaj tij

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, ka reaguar ndaj deklaratës së Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, e cila pas vendimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deklaroi se Dhomat e Specializuara janë “organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur”. Ajo pati shkruar se vendimi ka të bëjë me “përgjegjësi individuale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”. 

Mishetiç ka kundërshtuar mënyrën se si Kos e ka cilësuar Specialen, duke thënë se paanshmëria e saj në rastin e Thaçit ende nuk është përcaktuar.

“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e Thaçit, kjo ende mbetet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kosit që ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar Mishetiç, duke shtuar një raport të Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit që, siç ka thënë ai, vë në pikëpyetje paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues. 

Komiteti në raporti pati identifikuar probleme serioze në mbrojtjen e garancive procedurale, veçanërisht në lidhje me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm të Gjykatës Speciale. Mes tjerash pati konstatuar se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar. 
Komisionerja Kos më 16 shtator pati kërkuar që vendimi i Dhomave të Specializuara për katërshen e UÇK-së të respektohet.

The post Avokati  i Thaçit reagon ndaj deklaratës së Marta Kos: Nuk të takon ta paragjykosh çështjen ndaj tij appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: