Mali i Zi rrit pagat nga janari, minimalja arrin deri në 1,400 euro

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç ka njoftuar se nga janari do të ketë rritje të ndjeshme të pagat në sektorin publik dhe atë privat. Sipas tij, ngritja do të bëhet përmes programit të ri qeveritar “EURO MODEL”.

Paga minimale neto për punonjësit në pozitat që kërkojnë arsim fillor ose më të ulët do të jetë 1,000 euro nga 600 që është aktualisht.

Për të punësuarit me arsim të mesëm, rroga më e ulëtdo të arrijë në 1,250 euro nga 600 që është aktualisht. Për vendet e punës me arsim të lartë, ajo do të jetë 1,400 euro nga 800 që është aktualisht.

Spajiç paralajmëroi rritje të ndjeshme edhe për pagat që aktualisht janë mbi nivelin minimal. Ai dha shembullin e një punëdhënësi që ndan 1,980 euro për një rrogë neto prej 1,600 eurosh. Sipas tij, nga janari, me të njëjtën kosto për punëdhënësin, punonjësi do të marrë 1,870 euro.

Spajiç tha se kjo pagë mund të kalojë edhe 2,000 euro nëse partnerët socialë e pranojnë kërkesën e Qeverisë. Propozimi parasheh që rritja e vlerës llogaritëse të koeficientit të zbatohet njësoj në sektorin publik dhe privat.

Kryeministri malazez njoftoi gjithashtu se do të ulet barra tatimore mbi punën. Kjo masë, sipas tij, synon t’i mbështesë punëdhënësit.

Nga viti 2027, pensionet pritet të harmonizohen 4 herë në vit. Pensioni mesatar në prill do të rritet në mbi 600 euro, ndërsa pensioni minimal do të kalojë 500 euro. Spajiç bëri të ditur se në dhjetor çdo pensionist do të marrë edhe nga 100 euro shtesë për dimër.

The post Mali i Zi rrit pagat nga janari, minimalja arrin deri në 1,400 euro appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: