Avokati Meshar Selimaj në Euronews Albania ka trajtuar disa nga pikat kryesore lidhur me punën dhe vendimet e Gjykatës Speciale të Hagës.
Avokati shprehet skeptik ndaj punës së gjykatës duke e cilësuar të paligjshme dhe joetike përmendjen e emrave të personave që nuk janë palë apo subjekte në atë procedurë.
“Që prej fillimit personalisht kam qenë skeptik rreth kundër kësaj gjykate e cila shihet që ka qëllim dënimin dhe, për aq më keq, është e paligjshme, e panevojshme, jo etike, jo ligjore, jo racionale që në një shpallje të një vendimi kjo gjykatë të përmend edhe emra të tjerë të personave të cilët nuk kanë gjykuar në atë rast, të personave të cilët nuk janë subjekte procedurale as nuk janë palë në atë procedurë. Pra kjo përbën një mangësi të thellë dhe një paragjykim të rastit në përgjithësi dhe të rasteve të tjera që ndoshta mund të vijnë në të ardhmen, per shkak se përmendja e emrave jashtë katërshes së UÇK-së lind shumë dilema dhe dyshime se ndoshta çfarë ishte, sepse ne e dëgjuam përmendi Fatmir Limajn, përmendi Lahi Brahimajn, Rrustem Mustafën e të tjerë, por Lahi Brahimaj dhe Fatmir Limaj kanë kaluar njëherë në tribunalin e Hagës.
Pra ata janë, dhe jo vetëm një herë, janë hetuar, gjykuar, janë shpallur të pafajshëm për çështje që lidhen me luftën. Pse ky gjyqtar duhet t’i risillte emër për emër? Unë e kam thënë edhe ditën kur ka ndodhur shpallja: mos është një mesazh ogurzi nga ai zyrtar i cili po paralajmëron marrjen e veprimeve të mëtejshme të kësaj prokurorie?”.
Avokati kritikon ashpërsinë e dënimeve ku sipas tij, duhej të aplikohej ligji më i favorshëm i kohës kur pretendohet se janë kryer veprat, ku dënimi maksimal me burgim arrinte deri në 15 vjet.
“Veprimet në vazhdim të kësaj gjykate e kanë pasur prej fillimit, në vazhdim edhe tutje kanë një qëllim: denigrimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës së saj përmes dënimeve dhe sulmeve që i bëhen. Tash për tash është problematike se si do të vazhdojë tutje zhvillimi i kësaj procedure. Ka mosbesim në këtë gjykatë, sepse dënimet janë të ashpra dhe në kundërshtim të plotë edhe me parimin e legalitetit. Ne e kemi thënë se Kodi Penal i Jugosllavisë, i cili ka qenë për kohën kur pretendohet që janë kryer këto vepra penale, maksimumin e dënimit e ka pasur deri në 15 vite burgim”, tha ai.
Selimaj shtoi se Gjykata Speciale u themelua fillimisht me kërkesë dhe presion ndërkombëtar për të hetuar pretendimet për trafikim organesh.
“Kjo gjykatë është themeluar për transplant të organeve, hetimin e krimeve të pretenduara për trafikim me organe dhe ka pësuar një metamorfozë në diçka tjetër komplet. Dhe kjo është një padrejtësi e radhës të cilën ne e marrim. Ne si shqiptarë jemi përcjellë vazhdimisht në këto lloj pabesish edhe historikisht”, tha Selimaj.
The post “U krijua për transplant organesh por mori drejtim tjetër”-avokati Selimaj sqaron rolin e Hagës appeared first on Euronews Albania.
