“Vrasja mafioze” në burg, dosja “e zezë” e Alket Rizait! Pamjet dhe dëshmitë: E goditi me tre plumba në kokë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Emri i Alket Rizait, një prej emrave më të njohur të botës së krimit në Greqi, është përfshirë në hetimet për vrasjen e një të burgosuri brenda godinës së komandës së burgut të Domokosit, ngjarje e ndodhur më 15 shkurt 2026.

Rizai, i cili prej së hënës kërkohet nga autoritetet pasi u arratis nga burgu, dyshohet gjithashtu se u përfshi në një incident me të shtëna armësh në një beach bar në Anaviso.

Sipas televizionit SKAI, dëshmitë e vendosin Rizain në zonën ku u vra me tre plumba Antonis Papadatos. Edhe pse çështja mbetet ende e hapur, kryeroja i burgut është lënë në paraburgim pasi ndodhej në vendngjarje dhe ka dhënë deklarime kontradiktore gjatë marrjes në pyetje.

SKAI publikon për herë të parë pamjet e dosjes

SKAI ka publikuar për herë të parë fotografi nga vendi i krimit. Për vrasjen akuzohet një i burgosur bullgar i dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa në pranga përfundoi edhe kryeroja i burgut, i cili sipas avokates së familjes së viktimës ka dhënë versione që bien ndesh me provat.

“Që në momentin e parë, ajo që deklaroi ishte krejtësisht në kundërshtim me faktet që dolën menjëherë. Brenda shtatë minutash një i burgosur doli nga pavijoni ku mbahej dhe u vra në godinën e administratës”, tha avokatja.

Dëshmitarët përmendin Alket Rizain

Edhe pse Alket Rizai mohon të ketë qenë në vendin ku u vra Papadatos, dëshmitarë okularë pretendojnë të kundërtën.

Një punonjës i burgut ka deklaruar:

“Në një moment dëgjova të shtëna që vinin nga godina e vjetër e rojës së burgut dhe pashë që i pari që doli prej aty ishte Alket Rizai.”

Si ndodhi vrasja

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë se pak para se të ekzekutohej me tre plumba në kokë, Antonis Papadatos ndodhej në ambientet e përbashkëta të pavijonit D, ku po bisedonte me të burgosur të tjerë.

Pak më vonë aty mbërriti i burgosuri bullgar, i cili i kërkoi Papadatosit të dilte nga qelia dhe ta ndiqte. Të dy kaluan korridoret që të çojnë drejt godinës së rojës së burgut.

Në të njëjtën kohë, sipas kamerave, drejt të njëjtit drejtim u nis edhe Alket Rizai, i shoqëruar nga disa të burgosur të tjerë që përshkruhen si “truproja” të tij.

Në godinën e administratës ndodheshin tashmë Papadatos, i burgosuri bullgar dhe kryeroja. Kamerat kanë regjistruar edhe një përqafim të ngrohtë mes kryerojës dhe Rizait.

Më pas të gjithë duket se e shoqërojnë viktimën drejt godinës së vjetër të rojës së burgut – i vetmi ambient ku nuk funksiononte asnjë kamerë sigurie.

Brenda asaj dhome, jashtë mbulimit të kamerave, Papadatos u qëllua fillimisht nga pas në kokë dhe më pas edhe me dy plumba në fytyrë.

Versioni i autorit të dyshuar

I burgosuri bullgar, i cili mori përsipër përgjegjësinë për vrasjen, pretendon se Papadatos kishte fshehur një revolver në pantallonat e shkurtra dhe tentoi të vriste kryerojën.

Sipas tij, ai ndërhyri për t’i marrë armën, por ajo u shkrep aksidentalisht, duke e goditur për vdekje Papadatosin në kokë.

Megjithatë, policia dhe gjyqtari hetues dyshojnë se ngjarja i ngjan më shumë një ekzekutimi me pagesë sesa një akti vetësakrifikues.

Pas të shtënave, bullgari hodhi armën në dysheme dhe u dorëzua.

Nga ana tjetër, kryeroja pretendon se gjatë incidentit u përpoq të mbrohej dhe nuk pa çfarë ndodhi, ndërsa këmbëngul se Rizai ishte larguar disa minuta përpara të shtënave.

Avokati i tij, Dimitris Gavelas, deklaroi:

“Klienti im u gjend në vendin e gabuar, në kohën e gabuar. Ai u përball me një situatë që nuk mund ta parandalonte. Sa i përket pretendimit se Rizai nuk ndodhej në vendngjarje, unë mund të përcjell vetëm atë që deklaron klienti im.”

Rizai mohon përfshirjen

Vetë Alket Rizai ka mohuar çdo përfshirje në vrasje.

“Jam i pastër dhe nuk kam frikë nga asgjë. Nuk kam qenë brenda godinës së vjetër të rojës në momentin kur ndodhi ngjarja. Nuk kisha asnjë arsye të përzihesha në një çështje të tillë, as për të gjitha paratë e botës.”

Megjithatë, ekspertët e kriminalistikës kanë gjetur gjurmë gjaku në këpucët e tij dhe mbetje baruti në rrobat e tij.

Sipas SKAI, 47-vjeçari nuk është marrë ende si i pandehur në këtë dosje dhe vazhdon të ketë statusin e dëshmitarit, ndërsa kërkesa për lirim e kryerojës së paraburgosur është rrëzuar.

Dyshimet se ka kaluar në Shqipëri

Ndërkohë, me kalimin e ditëve po forcohet skenari se Alket Rizai, i njohur edhe për lidhjet e tij të ngushta me Vasilis Paleokostasin, mund të ketë kaluar në Shqipëri.

Sipas informacioneve që kanë mbërritur në Policinë Greke, sinjali i fundit për vendndodhjen e tij është regjistruar në Greqinë Veriore, zonë nga ku dyshohet se mund të ketë kaluar ilegalisht kufirin drejt Shqipërisë.

Edhe pse autoritetet theksojnë se kjo nuk konsiderohet ende një fakt i provuar, ai mbetet skenari që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në hetimet për kapjen e të arratisurit.

The post “Vrasja mafioze” në burg, dosja “e zezë” e Alket Rizait! Pamjet dhe dëshmitë: E goditi me tre plumba në kokë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: