Shkrimtari, skenaristi dhe diplomati Ylljet Aliçka është shpallur sot “Qytetar Nderi” i Kolonjës. Në ceremoninë e zhvilluar në Ersekë, ai u vlerësua për kontributin në letërsi, art dhe jetën publike, ndërsa për Aliçkën kjo mirënjohje merr një tjetër kuptim për shkak të lidhjeve familjare me Kolonjën.
Në fjalën e tij, Aliçka tha se vlerësimi e emocionon dhe e lidh edhe më fort me vendin e origjinës së familjes së tij. Ai kujtoi gjyshërit e lindur e rritur në Kolonjë dhe ndikimin që kanë pasur historitë e kësaj treve në formimin e tij.
“Jam vërtet i kënaqur, por edhe i emocionuar. Është një ndjenjë që të prek edhe në anën emocionale të zemrës, ta shohësh që je i yni, i Kolonjës, pavarësisht se jetojmë larg Kolonjës. Gjyshërit dhe gjyshja, të lindur e rritur në Kolonjë, më kanë ushqyer me këto. Kam menduar për këto tema, për historitë e Kolonjës. Unë, nga mënyra ime, me këtë qasjen time, besoj që do të shkruaj diçka”, tha Aliçka.
Për profesor doktor Ilo Melën, vlerësimi për Aliçkën lidhet jo vetëm me krijimtarinë artistike, por edhe me një tjetër dimension të veprimtarisë së tij, atë diplomatik. Sipas tij, përvoja në art dhe letërsi ka ndikuar edhe në kontributin e Aliçkës në diplomaci.
“Është nga krijimtaria artistike, poezia, shkrimet e ndryshme, skenografia që ka shkruar, të gjitha, dhe veprimtaria diplomatike. Kjo është një veprimtari që nuk i duket produkti shumë kollaj. Fakti që kemi pasur të bëjmë me një njeri me njohuri të thella në fushën e artit, të krijimtarisë letrare e të tjera, është baza që na garanton se mendimet që i ka dhënë në këtë drejtim kanë qenë të kualifikuara”, tha Ilo Mele.
Me titullin “Qytetar Nderi”, Kolonja i bashkon emrin e Ylljet Aliçkës historisë së saj kulturore. Ndërsa vetë shkrimtari premton se lidhjen me vendlindjen e të parëve do ta çojë edhe në letërsi, përmes një vepre kushtuar historive dhe njerëzve të Kolonjës.
The post Ylljet Aliçka “Qytetar Nderi” i Kolonjës, shkrimtari: Do të shkruaj për historitë e kësaj treve appeared first on Euronews Albania.
