Këngëtari Ledri Vula iu është bashkuar protestës së mbajtur mbrëmjen e së dielës në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Duke iu drejtuar qytetarëve të mbledhur në shesh, Vula tha se këtë herë nuk po fliste në cilësinë e artistit, por si një person që e kishte përjetuar luftën në Kosovë.
“Sot nuk po ju flas si një artist, por po ju flas si një fëmi që e ka përjetuar këtë luftë në Kosovë”, tha Vula.
Këngëtari u ndal veçanërisht te pjesëmarrja e të rinjve në protestë, duke theksuar se shumë prej tyre nuk kishin lindur ende në kohën e luftës.
“Sot, kur shoh shumë rini, besoj që shumica prej jush as nuk keni qenë të lindur kur ka ndodhur lufta në Kosovë. E marr si një lloj falënderimi për luftën që e kanë bërë këta njerëz, që sot, padrejtësisht, janë dënuar”, u shpreh ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Ledri Vula falënderoi pjesëmarrësit për mbështetjen, ndërsa iu bashkua thirrjeve “UÇK, UÇK, UÇK”.
Në tubim morën pjesë qytetarë të shumtë në kundërshtim të vendimit të Gjykatës Speciale.
The post Ledri Vula i bashkohet protestës për UÇK në Prishtinë: Kjo rini në shesh është falënderimi për luftëtarët appeared first on Euronews Albania.
