Ish-këshilltari takon Thaçin, zbulon mesazhin e tij për protestuesit: U bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Anëtari i kryesisë së PDK-së dhe ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Abelard Tahiri përmes një postimi në “Facebook” ka bërë me dije se është takuar me ish-presidentin e Kosovës pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë e cila e dënoi me 25 vite burg. Tahiri shkruan se kësaj herë udhëtimi drejt Hagës ishte ndryshe pas vendimit të Gjykatës Speciale të cilën e ka cilësuar si të padrejtë.

Ai gjithashtu ka bërë me dije mesazhin e Thaçit për të gjithë protestuesit që kanë dalë në shesh në Prishtinë kundër vendimit teksa shtoi se ish-kreu i UÇK-së u ka dërguar të fala nga zemra. Tahiri shton se protestuesit janë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë.

“Ky është një tjetër rrugëtim drejt Hagës, pas kaq shumë udhëtimesh gjatë këtyre gjashtë viteve. Por kësaj here ishte ndryshe.

U mërzita shumë kur e takova Presidentin pas vendimit të padrejtë. E megjithatë, ai ishte i qetë, i fortë dhe i sigurt. Me besimin se drejtësia do të triumfojë dhe se Apeli do ta korrigjojë këtë padrejtësi.

Ai ju dërgon të fala nga zemra, secilit prej jush që jeni në sheshin e Prishtinës dhe që u bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë. Faleminderit për qëndresën, për solidaritetin dhe për zërin tuaj që nuk u shua. Drejtësi për çlirimtarët”, shkruan ai.

The post Ish-këshilltari takon Thaçin, zbulon mesazhin e tij për protestuesit: U bëtë zëri i fuqishëm kundër padrejtësisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: