Google është gjobitur me më shumë se 400 milionë euro për mënyrën se si ka përpunuar të dhënat e vendndodhjes së përdoruesve, pas pretendimeve se gjigandi i teknologjisë i kishte manipuluar përdoruesit që të pranonin të gjurmoheshin vazhdimisht në telefonat e tyre celularë.
Gjoba, e vendosur nga Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave (DPC) i Irlandës, vjen pas ankesave nga organizata të shumta evropiane të konsumatorëve se Google po ndiqte çdo hap që ndërmerrnin përdoruesit.
Reklamat që lidhen me vendndodhjen janë të njohura për pushuesit, por shtatë organizata evropiane të konsumatorëve janë ankuar se përdorimi i tepërt i të dhënave të vendndodhjes mund të çojë gjithashtu në shkelje të privatësisë .
Hetimi i DPC u nxit nga një hulumtim i agjencisë norvegjeze të konsumatorëve në vitin 2018, i cili sugjeroi se të dhënat e vendndodhjes mund të zbulonin detaje të tilla si besimet fetare (duke ndjekur vendet e kultit), prirjet politike (për shembull, duke ditur se një përdorues ka shkuar në demonstrata), gjendjet shëndetësore (nëse një përdorues ka shkuar në spital) dhe orientimin seksual (nëse ka shkuar në bare të caktuara).
Është gjoba e katërt më e madhe e vendosur nga rregullatori irlandez, i cili ka përgjegjësi në të gjithë BE-në për të gjithë gjigantët e teknologjisë amerikane me selinë e BE-së në Irlandë.
Më parë i ka gjobitur Metës me 1.2 miliardë euro, TikTok-ut me 530 milionë euro dhe Instagram-it (gjithashtu në pronësi të Metës) me 405 milionë euro.
The post Rregullatori irlandez gjobit mbi 400 mln euro Google për përdorimin e të dhënave të vendndodhjes appeared first on Euronews Albania.
