Akuzohej nga Serbia për krime lufte, lirohet nga autoritetet kroate shqiptari i Kosovës

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Autoritetet kroate kanë liruar Bajram Bajramin i cili ishte arrestuar pas një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia. Ai akuzohej për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ndërmori veprimet e nevojshme institucionale përmes një shkrese zyrtare drejtuar homologut të saj, Damir Habijan, dhe autoriteteve kompetente.

Ajo kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Kosovës, duke ngritur njëkohësisht edhe shqetësimin lidhur me përdorimin e urdhër-arresteve të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Çështja është adresuar gjithashtu edhe gjatë bisedës telefonike të Ministres Gërvalla me homologun e saj kroat, me qëndrimin se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mbahen peng nga pretendime të tilla të Serbisë dhe se, për çështjet që lidhen me veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, kompetenca u takon institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

The post Akuzohej nga Serbia për krime lufte, lirohet nga autoritetet kroate shqiptari i Kosovës appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: