Juventusi u gjobit me 10,000 euro të martën pasi një pjesë e mbështetësve të saj prishën një minutë heshtje në nder të ish-yllit të Italisë dhe Interit, Sandro Mazzola.
Juventusi rrezikoi që ajo pjesë të mbyllej për ndeshjen e radhës, por gjyqtari sportiv i ligës italiane tha se “sanksioni u zbut në dritën e qëndrimit të shpejtë dhe formal të klubit në lidhje me sjelljen e mjerueshme, si dhe faktin se pjesa tjetër e turmës së pranishme në stadium u distancua prej saj”.
Homazhi u mbajt në të gjitha ndeshjet e Serie A gjatë fundjavës, pasi Mazzola, i konsideruar gjerësisht si një nga lojtarët më të mëdhenj të Italisë, vdiq të premten. Ai ishte 83 vjeç.
Një minutë heshtje u ndërpre në Torino, përpara ndeshjes së së dielës kundër Atalantës, ndërsa një pjesë e tifozëve të Juventusit i kthyen shpinën fushës dhe kënduan këngë për legjendat e klubit të tyre. Interi dhe Juventusi janë rivalë të ashpër.
Britmat u shuan nga duartrokitjet e mbështetësve të tjerë në stadium – si të tifozëve vendas ashtu edhe të atyre mysafirë.
Juventusi lëshoi një deklaratë menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, duke dënuar sjelljen e tifozëve të vet.
The post Tifozët ndërprenë homazhet për Sandro Mazzola, Juventusi gjobitet me 10,000 euro appeared first on Euronews Albania.
