Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila konstatoi se afatet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës janë konsumuar.
Në një reagim publik, Gjini tha se AAK e kishte paralajmëruar prej kohësh se procesi ishte zvarritur dhe se vendi po shkonte drejt zgjedhjeve të reja.
Sipas tij, që nga 7 qershori e deri më sot, partia fituese e zgjedhjeve të kaluara ka shtyrë procesin e konstituimit të Kuvendit me synimin për ta çuar Kosovën sërish në zgjedhje.
Gjini e cilësoi Albin Kurtin si përgjegjësin e vetëm për këtë situatë politike, ndërsa vlerësoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese e nxori vendin nga një krizë institucionale e paparashikuar dhe i hapi rrugën procesit zgjedhor.
Kreu i AAK-së theksoi se, sipas tij, shkeljet kushtetuese nuk mund të justifikohen me arsye patriotike, duke shtuar se çdo shkelje e Kushtetutës bëhet për të mbajtur pushtetin në mënyrë të paligjshme.
Në fund të reagimit, Gjini u shpreh se qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm për, sipas tij, lojërat politike për interesa partiake dhe se do të dinë të dallojnë alternativat që ofrojnë zgjidhje për një jetë më të mirë.
The post Kreu i AAK pas vendimit të Kushtetueses në Kosovë: Vendi shkon në zgjedhje appeared first on Euronews Albania.
