Daku dhe Seferi: Do shihni një ekip sulmues, Maran na bën të rëndësishëm

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Entuziazëm në ekipin kombëtar në prag të ndeshjes me Bjellorusinë. Sulmuesit Mirlind Daku dhe Taulant Seferi deklaruan se objektivi është vendi i parë, ndërsa zbuluan se trajneri kërkon një Shqipëri sulmuese. Gjithashtu, Daku tha se ndryshe nga Silvinjo, me Maran çdo lojtar ndihet i rëndësishëm.

Mirlind Daku dhe Taulant Seferi dolën sot në konferencën zyrtare për media nga “Shtëpia e Futbollit”. Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve të pranishëm, sulmuesit kuqezi deklaruan se përfaqësuesja shqiptare ka si objektiv vendin e parë në Nations League.

Futbollisti Mirlind Daku u shpreh i lumtur për grumbullimin dhe tha se, nëse i jepet mundësia për të luajtur, do të japë më të mirën. Sulmuesi kuqezi u shpreh se objektivi i skuadrës është vendi i parë në grup.

Si i sheh këto katër ndeshje dhe a mund të arrijë kjo skuadër objektivin?

– Si gjithmonë, është nder të jesh pjesë e Kombëtares. Për këto arsye ftohemi edhe ne sulmuesit, për të shënuar gola dhe shpresoj që do të vazhdoj këtë cikël të ri. Të shënojmë gola, por më e rëndësishme është të fitojmë dhe të kalojmë sa më mirë këto katër ndeshje.

Konkurenca në sulm dhe çfarë të veçon ty?

– Është mirë kur ka konkurrencë brenda skuadrës. Edhe çunat që kanë ardhur, vijnë pas një fillimi sezoni shumë të mirë, kanë shënuar gola dhe kjo është gjë e mirë. Na duhet që të kemi lojtarë që të jenë në momentin e tyre. Unë do të pres momentin dhe, nëse do të më jepet mundësia, do të jap më të mirën time.

Objektivi juaj, vendi i parë në grup apo Euro 2028?

– Vetë fakti që ne jemi për vendin e parë, flet për Euro 2028. Rruga në Nations League na çon drejt Euro 2028. Për ne është objektivi kryesor që të jemi të parët dhe të vazhdojmë ato dy ndeshje që janë si finale.

E ndjen veten në 100?

– Unë jam 100% i gatshëm për Kombëtaren, kam qenë gjithmonë. Me ekipin e ri nuk kam luajtur, por nuk vij prej ndonjë lëndimi. Është zgjedhja e trajnerit aty për të vazhduar me lojtarët që ka pasur.

Çfarë ju ka bërë përshtypje nga trajneri Maran?

– Të gjithë lojtarët e grumbulluar nuk e kemi ndjerë rëndësinë veçmas. Tani po ndjejmë që secili lojtar ka rëndësinë e vet në skuadër dhe kjo më ka bërë të ndihem mirë. Për të tjerat, presim ndeshjet.

Taulant Seferi u shpreh se Kombëtarja ka si objektiv vendin e parë, duke theksuar rëndësinë e përqendrimit maksimal në çdo ndeshje dhe respektimit të çdo kundërshtari. Sulmuesi foli edhe për ndryshimet me trajnerin Maran, duke vlerësuar lojën me topin dhe presingun, ndërsa nënvizoi besimin që ka grupi për të arritur sukses.

Objektivi vendi i parë, sa ju vendos në presion?

– Sa i përket objektivit tonë si vendi i parë, padyshim objektivi ynë i Kombëtares është vendi i parë, por ne, si gjithë ekipi së bashku, duhet të shohim ndeshje për ndeshje, sepse në futbollin e sotëm nuk ka më ndeshje të lehtë. Duhet të japim maksimumin, të fokusohemi 100% dhe të shohim ndeshje pas ndeshjeje. Shpresoj që në fund të jetë kështu, siç të gjithë po flasin, dhe do të jetë e mira për të gjithë ne. Ajo që na mbetet është që ne të punojmë fort, të jemi të përqendruar dhe të shohim ndeshje pas ndeshjeje.

Si po shkojnë përgatitjet për ndeshjet?

– Ndryshimi është sepse trajneri Maran dëshiron që të luajmë me topin, dëshiron më shumë futboll sulmues dhe do që ekipi të bëjë presing. Për ne sulmuesit është më mirë kur bëjmë presing dhe kur e kemi topin më shumë. Këto ditë kemi punuar më shumë me topin. Përpara kemi qenë më shumë të fokusuar në aspektin mbrojtës, e kemi pritur kundërshtarin më shumë. Shpresoj që këto që po punojmë me trajnerin Maran, të na dalin edhe në lojë, sepse besoj që po na pëlqen të gjithë futbollistëve ky sistem. Shpresoj që t’ia dalim me sukses.

Si e shihni pozicionin tuaj me trajnerin Maran në ekip?

– Trajneri ia jep vlerësimin të gjithë futbollistëve. Nëse unë do të luaj titullar apo jo, e di trajneri. Padyshim, unë besoj që i ka pëlqyer loja ime që ka parë në dy ndeshje miqësore dhe në kampionat. Unë jam këtu, trajneri vendos nëse do të luaj apo do të jem në bankë rezervë. Do të vlerësoj çdo vendim të trajnerit. Ne jemi të kënaqur, pikë së pari sepse jemi në Kombëtare, pastaj gjërat e tjera dhe është grupi që do të sjellë sukseset apo fitoret.

Futeni si favoritë në këtë ndeshje, si e përgatit Shqipëria një ndeshje ndryshe?

– Siç e thashë më parë, padyshim objektivi ynë është vendi i parë, ne duhet të jemi të fokusuar në çdo ndeshje. Nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar, sepse sot çdo kundërshtar është shumë i fortë dhe kur të futesh në fushë je 11 vs 11. Duhet vlerësuar në maksimum çdo kundërshtar që kemi në grup. Kemi shumë besim sepse e kemi grupin shumë të mirë. Kemi shumë besim që do të dalim me sukses.

The post Daku dhe Seferi: Do shihni një ekip sulmues, Maran na bën të rëndësishëm appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: