Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në “Facebook” ka bërë me dije se ka takuar të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Kurti theksoi se me Pierce biseduan për zhvillimet politike e të sigurisë si dhe për dënimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare nga Gjykata Speciale në Hagë. Kurti shton se i ka shprehur shqetësimin Pierce për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj tyre.
“Sot u takova edhe me të Dërguarën e Posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Biseduam për zhvillimet politike e të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë.
E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi.
Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit të sotëm me znj. Pierce.
Meqë nesër Dame Karen feston ditëlindjen, pata kënaqësinë t’ia uroja paraprakisht dhe t’i dhuroja një kujtim nga Republika e Kosovës”, shkruan Kurti.
The post Kurti takim me të dërguaren britanike për Ballkanin Perëndimor, në fokus dënimet e ish-krerëve të UÇK appeared first on Euronews Albania.
