Trajneri Maran para ndeshjes me Bjellorusinë: I kam idetë e qarta për lojtarët, do të bëjnë më të mirën

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Trajneri i kombëtares shqiptare, Rolando Maran, këtë të premte doli në një konferencë për mediat në prag të ndeshjes zyrtare kundër Bjellorusisë. Tekniku italian shprehu emocionin për këtë sfidë të re, ndërsa konfirmoi se ka pasur disa problematika fizike me lojtarët gjatë grumbullimit.

Pavarësisht pengesave të vogla, Maran theksoi se ekipi është gati dhe me motivim maksimal. Ai u shpreh se kushdo që do të marrë minuta në fushë, e di mirë detyrën e tij.

“Po, e vërtetë, nesër nis aventura ime si tekniku i kombëtares shqiptare. Diçka që më bën të emocionohem dhe në fakt më mbushet me krenari dhe sigurisht që më bën të jem, të kem një stimul ekstra për të bërë akoma edhe më shumë përveç asaj se çfarë duhet të bëjmë. Sigurisht që janë gjërat shumë të qarta. Kemi pasur edhe disa vështirësi gjatë këtij grumbullimi, disa problematika të vogla. Kanë pasur të detyruar pushim për disa nga lojtarët, por ajo çfarë është e qartë dhe e sigurt, është se kush do të zbresë në fushë do të zbresë qartë, i plotë për atë çfarë duhet të bëjë për ndeshjen”, u shpreh ai.

I pyetur nga gazetarët për gjendjen fizike të Kristjan Asllanit dhe ndikimin e mungesave në mesfushë në skemën taktike, tekniku sqaroi situatën e stërvitjeve dhe provat e bëra gjatë javës.

I fokusuar te zgjidhjet alternative, trajneri Maran theksoi se grupi i lojtarëve ka dhënë përgjigje pozitive.

“E vërtetë është që disa nga lojtarët nuk kanë pasur mundësi të stërviten vazhdimisht, por në fakt nga mungesa e disa lojtarëve kemi provuar disa gjëra të reja dhe kam marrë disa përgjigje shumë të mira. Asllani dhe Shehu të dy do të jenë në stërvitje sot dhe sigurisht që mbrëmjen e sotme do të kemi hapësirë edhe për të zgjedhur rrugën e duhur që do të ndjekim edhe për ndeshjen e nesërme. Kanë qenë disa ditë impenjative, por në fakt më kanë dhënë disa përgjigje shumë të mira dhe unë kam shumë besim që edhe nëse disa lojtarë nuk do të kenë hapësirë për të luajtur ndoshta 90 minuta, kjo na jep hapësirën për të zgjedhur edhe për të zbritur në fushë një skuadër e cila është e gatshme për të luftuar, për të bërë më të mirën”, u shpreh trajneri Maran.

The post Trajneri Maran para ndeshjes me Bjellorusinë: I kam idetë e qarta për lojtarët, do të bëjnë më të mirën appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: