Breshëri plumbash drejt një kafeneje në Athinë, plagoset një vajzë 10-vjeçare shqiptare

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak pas mesnatës së të premtes ndaj një kafeneje në zonën e Shën Pantelejmonit në Athinë, ku mbeti e plagosur një vajzë 10-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila ndodhej brenda lokalit në momentin e sulmit.

Sipas informacioneve të para, ngjarja ndodhi rreth orës 23:50 në rrugën Agorakritou 32, kur persona të paidentifikuar që lëviznin me një automjet kaluan pranë kafenesë “Amora” dhe hapën zjarr në drejtim të fasadës së lokalit.

Nga të shtënat u plagos në këmbën e majtë, në zonën e pulpës, vajza 10-vjeçare e pronarit të kafenesë. Ajo u dërgua menjëherë nga e ëma në Spitalin Pediatrik, ku po merr trajtim mjekësor.

Autoritetet greke dyshojnë se në automjet ndodheshin katër persona, të cilët qëlluan nga brenda makinës dhe më pas u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Në momentin e sulmit, brenda kafenesë ndodheshin 10 klientë, të gjithë shtetas të huaj.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti i përdorur nga autorët u gjet i djegur pak më vonë në zonën e Aspropirgosit, çka po hetohet si një përpjekje për të zhdukur gjurmët.

Policia po heton autorët dhe motivin

Hetuesit ende nuk kanë përcaktuar nëse vajza u plagos nga një plumb apo nga një copëz predhe, ndërsa po shqyrtohen të gjitha provat për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të sulmit.

Sipas të dhënave të deritanishme, jeta e 10-vjeçares nuk është në rrezik, ndërsa Policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

The post Breshëri plumbash drejt një kafeneje në Athinë, plagoset një vajzë 10-vjeçare shqiptare appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: