“Kujtesa e shtypur” ekspozita që sjell historinë e shtypit shqiptar në Ersekë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

“Kujtesa e shtypur”, një ekspozitë tematike historike kushtuar rrugëtimit të shtypit shqiptar në periudhën 1883–1944, është prezantuar për herë të parë në vendin tonë, duke u ndalur në qytetin e Ersekës.

Kjo ekspozitë vjen nën kujdesin e studiuesit Niko Kotherja dhe sjell për publikun materiale të rralla që pasqyrojnë zhvillimin e shtypit i cili daton që në vitin 1848 me botimin e gazetës “L’Albanese d’Italia” nga Jeronim de Rada, duke vijuar më pas me qindra organe shtypi të botuara brenda dhe jashtë vendit. Materialet e përfshira në këtë ekspozitë janë origjinale nga periodikë të botuar në vende të ndryshme si Italia, Anglia, Franca, Egjipti, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera, por edhe në qytete shqiptare si Shkodra, Tirana, Korça, Vlora, Pogradeci e shumë të tjera. Pjesë e saj janë fotografi, dokumente, kupona abonimi, zarfe dhe elementë të tjerë autentikë që dëshmojnë historinë e shtypit.

Nga ana tjetër, për analistin Mentor Nazarko kjo ekspozitë është një rikujtesë e gazetarisë së vërtetë.

E ndërsa kryetari i Bashkisë së Ersekës, Erion Isai, e sheh këtë ekspozitë si një rikthim tek rrënjët e themelimit të shtypit të shkruar shqiptar, duke vlerësuar kontributin e brezave që ndërtuan traditën e gazetarisë në periudha të ndryshme historike.

Ekspozita “Kujtesa e shtypur” përfshin edhe tituj të rëndësishëm të shtypit shqiptar si “Flamuri i Arbërit”, “Albania”, “Drita”, “Koha”, “Posta e Shqypnisë” e shumë të tjera, duke sjellë një pasqyrë të plotë të zhvillimit të mediave shqiptare deri në fund të Luftës së Dytë Botërore.

The post “Kujtesa e shtypur” ekspozita që sjell historinë e shtypit shqiptar në Ersekë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: