Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi se qendrat për emigrantët në vende të treta, sipas modelit që Italia ka ngritur në Shqipëri, tashmë konsiderohen një zgjidhje legjitime edhe nga Këshilli i Europës.
“Deklarata e Kishinaut”, e miratuar nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës, “njeh legjitimitetin për shtetet që të përdorin zgjidhje inovative në menaxhimin e flukseve migratore, si qendrat e riatdhesimit në vende të treta, sipas modelit të nisur nga Italia në Shqipëri”, shkroi Meloni në rrjetet sociale.
Komentet e saj erdhën pas deklaratës së miratuar në Kishinau të Moldavisë nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Këshillit të Europës.
Sipas Melonit, ky është “një rezultat i rëndësishëm”, fryt i një procesi që Italia “ka ndihmuar ta hapë me guxim dhe vendosmëri”, së bashku me kryeministren daneze Mette Frederiksen.
Më tej, kryeministrja italiane theksoi se ajo që vetëm një vit më parë “shkaktonte diskutime”, sot është kthyer në “një parim të përbashkët mes 46 shteteve anëtare të Këshillit të Europës”.
Sipas saj, kjo tregon edhe një herë se qasja italiane për një menaxhim të rregullt të emigracionit, e ndjekur “me seriozitet dhe qëndrueshmëri” nga qeveria e saj, po bëhet gradualisht edhe qasja e vetë Europës.
Si funksionon marrëveshja për emigrantët mes Italisë e Shqipërisë?
Më 6 nëntor të vitit 2023, mes Shqipërisë dhe Italisë u nënshkrua protokolli i bashkëpunimit për fuqizimin e bashkëpunimit për çështjen e emigracionit, ndërsa marrëveshja shkaktoi reagime në Shqipëri dhe Itali.
Protokolli, në bazë të të cilit u ngritën në Shqipëri qendrat e pritjes së emigrantëve të paligjshëm, u nënshkrua nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe u ratifikua nga Kuvendi i Shqipërisë më 22 shkurt të vitit 2024.
Marrëveshja, fillimisht për pesë vjet nënkupton zbarkimin e 36.000 emigrantëve në vit në portin shqiptar të Shëngjinit rreth 75 kilometra në jug të kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës.
Rastet e tyre do të trajtohen në një qendër që është duke u ndërtuar në një bazë ajrore pranë në Gjadër, e cila do të mund të strehojë 3.000 njerëz.Të dyja objektet do të kenë personel italian dhe do të funksionojnë nën juridiksionin italian. Megjithatë, siguria e jashtme do të bëhet nga rojet shqiptare.
Qeveria italiane nuk ka dhënë ndonjë shifër të saktë por sipas Corriere della Sera, vlerësoi se marrëveshja do të kushtojë rreth 653 milionë euro.
Duke e ndihmuar Melonin, qeveria e Shqipërisë siguron mbështetjen e saj teksa përpiqet të bëhet anëtare e BE-së.
Ajo, gjithashtu, po i tregon pjesës tjetër të Evropës se është e gatshme ta ndihmojë bllokun 27-vendesh që të përballet me një nga problemet e tij më të vështira në vitet e fundit.
Sipas Ramës kjo është edhe një mënyrë për ta falënderuar Italinë, e cila pranoi mijëra shqiptarë që ikën nga varfëria, pas rënies së komunizmit në vitin 1991.
The post “Shqipëria si kamp prove”/ Meloni nuk tërhiqet nga pakti me Ramën, BE legalizon skemën për emigrantët e dëbuar appeared first on GIJOTINA.
