Ekipi i Kosovës në karate po i zhvillon përgatitjet intensive para nisjes për në Kampionatin Evropian për seniorë që do të mbahet në Frankfurt të Gjermanisë.
Pas një viti të mbushur me suksese historike, përfshirë medalje botërore dhe evropiane, atmosfera në kamp është optimiste dhe synimet janë të qarta: rritja e numrit të medaljeve dhe kthimi me tituj kampionësh.
Përzgjedhësi i Kosovës, Isak Curri, tha se objektivat e ekipit janë rritur pas rezultateve të jashtëzakonshme të arritura gjatë vitit të kaluar si në kampionate botërore ashtu edhe evropiane
Ai theksoi se prania e medalistëve botërorë dhe evropianë në ekip ka ndikuar pozitivisht në motivimin dhe besimin e karateistëve kosovarë.
“Jemi ekip ku në ekipin tonë kemi medalistë të nivelit botëror dhe evropian dhe kjo vetvetiu e ngrit atë moralin, e ngrit atë vullnetin për punë, për besim dhe për të gjitha. Kjo është diçka e mirë që edhe më parë kemi pasur medalistë, por na ka munguar një medalje finale, të cilën e ka arritur Islami në botëror, po edhe sukseset e kaluara janë varg i frymëzimit tonë dhe i besimit tonë që do të ngritemi dhe do të rritemi akoma më shumë”, shtoi Curri.
Evropiani i karatesë zhvillohet nga data 19 deri më 24 maj 2026 në Frankfurt të Gjermani.
The post Kosova synon medalje në Kampionatin Evropian të karatesë, gati për sfidën në Gjermani appeared first on Euronews Albania.
