“Zgjedhje e varfër dhe jo ambicioze”, Vata kritikon emërimin e Maran në krye të Kombëtares

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, ka komentuar vendimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për emërimin e trajnerit italian Rolando Maran në krye të pankinës kuqezi.

Vata vlerëson se emërimi i Maran nuk reflekton një qasje ambicioze, duke theksuar se mungon një standard i qartë dhe i thelluar në përzgjedhjen e trajnerit ndërsa shprehet se vendimi duket më shumë si një zgjidhje e thjeshtë administrative sesa si një projekt i mirëfilltë sportiv me vizion afatgjatë.

Vata thekson se procesi i përzgjedhjes duhet të kishte qenë më kërkues dhe më i strukturuar ndërsa shton se problemi kryesor nuk qëndron vetëm te emri i përveçëm, por te mungesa e një standardi të qartë mbi të cilin duhet të bazohet përzgjedhja e trajnerit të Kombëtares. Ai e cilëson këtë lëvizje si “të varfër dhe jo ambicioze”, duke theksuar se Shqipëria duhet të ketë kritere më të forta dhe më të detajuara në procesin e vlerësimit të kandidatëve.

“Shiko, ai është një trajner që mund të jetë i mirë. Unë e njoh mirë futbollin italian dhe e njoh sigurisht elitën e trajnerëve të kampionatit italian. Nuk ka ndoshta shqiptarë që nuk i njohin, por Shqipëria nuk e di se çfarë kriteri duhet të ketë një trajner për të aplikuar, për t’u bërë trajner i Kombëtares shqiptare, sepse kriteret i di vetëm personi që vendos kush emërohet trajner. Mendoj se është një zgjedhje e varfër për mua, shumë e varfër, jo ambicioze. Nuk mendoj se ka qenë një lëvizje e mirë. Duke qenë se Shqipëria është vend i “qokave”, mendoj që thjesht është bërë një zgjedhje diku, por jo ambicioze. Trajneri mund të jetë shumë i suksesshëm, mund të dalë shumë i zoti në fund të kontratës së tij, mund të rezultojë madje edhe trajneri më i mirë në historinë e Kombëtares shqiptare, por prapë nuk më duket një zgjedhje shumë e thjeshtë. Domethënë, për të aplikuar dhe për t’u bërë trajner, duhet të jetë e vështirë. Një trajner që synon të bëhet trajner i Kombëtares shqiptare, në këtë pozitë ku është sot Kombëtarja shqiptare, duhet të kalojë një proces shumë më të vështirë verifikimi, me analiza të thelluara të të gjitha karakteristikave të tij: mentalitetit, punës që ka bërë, frymës që sjell, energjisë që transmeton dhe gjithçkaje që do të implementojë. Domethënë është bërë një analizë e thjeshtë, është bërë një ofertë, i ka shkuar një telefonatë bashkë me një CV dhe “hajde ta vendosim”, si me qenë duke vendosur një lojtar apo një kamarier në restorant dhe mbaron puna. Për mua është një qasje shumë e varfër, jo ambicioze”, tha Vata.

The post “Zgjedhje e varfër dhe jo ambicioze”, Vata kritikon emërimin e Maran në krye të Kombëtares appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: