Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median suedeze Postimees, ku foli për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa u përgjigj edhe për rastin e imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Balluku.
Intervista e plotë
“Rreth gjashtë muaj më parë, në një intervistë të dhënë për The Observer, ju thatë se ka një humor të zymtë në Evropë dhe nuk ka një strategji të qartë. Cili është motivimi i Shqipërisë për të aspiruar drejt BE-së kur është kaq e zymtë dhe nuk e di se ku po shkon?”
Edi Rama: Sepse për Shqipërinë BE-ja është jashtëzakonisht tërheqëse dhe ne jemi të varur prej saj dhe, ndryshe nga vendet e tjera përreth nesh, nuk kemi plane të tjera të mundshme dhe nuk duam plane të tjera të mundshme. Dhe nuk kemi aleatë ose partnerë të tjerë të mëdhenj. Ne kemi vetëm BE-në. Pra, është shumë e qartë pse duam të jemi pjesë e BE-së, por në të njëjtën kohë, mendoj se është shumë e qartë jo vetëm për mua, por për shumë njerëz se Evropa nuk po kalon ditët më të mira tani.
Nëse shikoni proceset që janë aktualisht në zhvillim e sipër në Evropë dhe vendimet që po merren, a po lëvizin ato në drejtimin e duhur me shpejtësinë e duhur?
Edi Rama: Jo, nuk po ndodh me shpejtësinë e duhur. Ndoshta në drejtimin e duhur, por padyshim jo me shpejtësinë e duhur. Sepse shpejtësia është një nga problemet që ka Evropa, sepse është një klub i madh vendesh demokratike dhe demokracia funksionon në atë mënyrë – me procedura dhe shumë procese para se të merret një vendim. Por në një mënyrë ose në një tjetër, ne duhet të ndryshojmë.
Procesi i zgjerimit ka marrë gjithashtu një kohë shumë të gjatë për Ballkanin Perëndimor. Ju keni thënë se qëllimi i Shqipërisë është të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030, jo më vonë. A e konsideroni ende këtë një qëllim realist?
Edi Rama: Unë mendoj se po. Për momentin është realiste. Por nuk ishte kështu deri në sulmin ndaj Ukrainës. Dhe kjo mund të ndryshojë. Por tani për tani, po, është realiste.
Ju keni propozuar, për të përshpejtuar procesin e pranimit, që Shqipëria të heqë dorë nga e drejta e vetos, nga komisioneri i saj. A nuk rrezikon kjo të marrë vetëm gjysmën e çmimit të anëtarësimit në BE për një kohë shumë të gjatë?
Edi Rama: Jo, nuk ka të bëjë me çmimin, ka të bëjë me Evropën. Dhe unë nuk e thashë këtë vetëm për të arritur atje, unë besoj në një Evropë më praktike dhe më funksionale. Nuk është e arsyeshme që Evropa të varet tashmë nga 27 veto, dhe ta imagjinoni me 29 ose 33 apo edhe 35 veto. Pra, kjo është diçka që duhet të trajtohet në thellësi, së bashku me shumë gjëra të tjera, sepse folëm më parë për atë që po e pengon Evropën të jetë me një shpejtësi dhe me një forcë të ndryshme. Dhe për sa na përket neve, besoj se kjo do të ndihmojë gjithashtu në lehtësimin e tensioneve që me siguri do të lindin në vende të ndryshme kur të vijë koha për të marrë një vendim.
The post Rama për median estoneze: Anëtarësimi në BE, qëllim realist. Me imunitetin e Ballukut vepruam drejt appeared first on Euronews Albania.
